10 këngë shqipe të dashurisë që s’duhet t’i harroni

nga Argjenda Selmani

Çdo këngë e dashurisë fsheh prapa vetës një histori. E çdo histori dashurie ka këngën e saj që e identifikon. Skena muzikore shqipe numëron qindra këngë që i këndojnë ndienjës më sublime, dashurisë.
Duke mbledhur dhjetë prej tyre ne duam t’ju rikthejmë pak në kohë. T’ju bëjmë t’i kujtoni disa këngë që ndoshta keni nisur t’i harroni.
Në prag të Shën Valentinit këndoni bashkë me ne disa këngë që nuk do të harrohen lehtë!

  • Elita 5 – Më fal

Grupi nga Maqedonia, Elita 5 ka një vargë këngësh që flasin për dashurinë. Më fal është njëra nga to. Këtu grupi ka zgjedhur t’i këndojë dashurisë me përgjërim. “Më fal që nga vetja s’të ndajë”, thonë me plotë zemër ata.

  • Pirro Çako dhe Rovena Dilo – Për një çast më ndali zemra

“Për një çast më ndali zemra s’ishe ti, shpirtin sonte ma trazove përsëri”. E çka mundet t’ju trazojë më tepër, në kuptimin pozitiv të fjalës, se sa zërat e Pirro Çakos dhe Rovena Dilos? Kjo është një nga ato këngë ‘ever green’ shqiptare, që publiku do t’i këndojë e do t’i kërkojë gjithmonë.

  • Alban Skënderaj – Vetëm ty

Sot për sot ai është një nga artistët më të dashur shqiptarë. Secila këngë e tij është hit. E secila i këndon dashurisë në një formë apo tjetër. Nga Alban Skenderaj mund të përmendnim edhe Eklips, Let me die with you e shumë të tjera. Megjithatë Vetëm ty na prek më shumë në zemër!

  • Soni Malaj – Të dua ty

Je gjysma ime në këtë jetë, gjithçka që kam“, kështu e përkufizon Soni dashurinë.  Të paktën kështu thotë një nga këngët e saj më të mira që flet për dashurinë.  Me Shpirtin binjak, e shumë këngë të tjera, Soni është gjithmonë në top-listat e zemrave të dashuruara.

  • Ledina Çelo – Të ndjej të huaj

Një ndarjeje të dhimbshme i këndon Ledina në këtë këngë. E kush nga ne nuk i ka përjetuar dhimbjet e një zemre të thyer? Shumica prej nesh jemi ndjer të huaj, me zemër të ftohtë e me zjarr të shuar! Ledina e ka thënë më së miri.

  • Eranda Libohova – Buzët më ishin tharë

Ika dhe të lashë unë sytë më nuk t’i pashë, oh sa të kam dasht, oh sa të kam dashur ty“. Pak më ndryshe se në hitet e reja i këndon edhe Eranda dashurisë. Por edhe kjo është një nga ato këngë që të gjithë pa përjashtim e duan. E po, sepse të gjithë e kuptojnë mirë se për cfarë malli flet Eranda!

  • Sabri Fejzullahu – Takimi me shoqen e studimeve

Ai është një nga ata këngëtar që i ka kënduar shumë dashurisë.  Kemi veçuar këngën Takim me shoqen e studimeve sepse nostalgjia është mike dhe armike e dashurisë.
“Mbi  flokë të kishte reshur borë, rrudhat të loznin nëpër fytyrë/ Ku janë ata sy , ku ajo dorë/ Pse zëri te paska tjetër ngjyrë.”
Ky është një nga tekstet më të bukura që flet për një ritakim në pleqëri të dy personave që u deshën në rini.

  • Argjentina ft. Flori Mumajesi – Ku isha unë

Shumica prej nesh e dimë përmendsh refrenin e kësaj këngë. “Ku ishe ti? Kur unë kerkoja pak dashuri?” Në këtë listë të këngëve romantike kjo ndoshta është më e reja.  Duke qenë se sjell të kombinuar zërat e Florit dhe Argjentinës, padyshim se ka marrë zemrat e publikut shumë shpejt. Kjo është një nga krijimet muzikore shqipe që i këndon dashurisë bukur dhe me thjeshtësi.

  • Armend Rexhepagiqi – Harrova

Para se të dëgjoni versonin e ri që e ka sjell në bashkëpunim me Tunën, ju duhet të dëgjoni atë origjinal!  Kantautori Armened Rexhepagiqi shkrin në këtë këngë dhimbjen e dashurisë dhe i këndon asaj me gjithë shpirt. Pas këngës Harrova lirisht mund të shëtisni në albumet e Armendit sepse nuk do të ngeleni të dëshpëruar.

  • Eliza Hoxha – Kthehu

Kthehu prapë në ëndrrat e mia“, thotë kënga e Eliza Hoxhës. Megjithatë ajo ende nuk është kthyer aktivisht në muzikë.
Këngëtarja kosovare së fundi është angazhuar në skenën politike në Kosovë. E në ndër kohë ju mund të dëgjoni këtë këngë të bukur të publikuar vite e vite më parë.

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓