Ja cilët janë 10 tipe kolegësh me të cilët punoni

nga Flogerta Driza

 

Shpesh, për të qenë të lumtur dhe të kënaqur me punën tonë, një pagë e mirë ose punësimi në kompaninë e ëndrrave nuk mjafton. Prandaj është thelbësore që të krijoni një marrëdhënie pozitive me kolegët e punës.

Sigurisht kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Në ambientet e punës jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njerëz të cilët nuk na pëlqejnë, e megjithatë, me këta njerëz do të kalojmë pjesën më të madhe të ditës. Është shumë e rëndësishme të krijoni marrëdhënie të mira me ata që punoni.

Për ta bërë këtë, duhet t’i njihni mirë ata që keni përballë, me të cilët, dita-ditës, do t’ju duhet të bashkëveproni. Më poshtë keni të listuar dhjetë tipe kolegësh që me siguri do t’i takoni në vendin tuaj të punës.

Kolegu që merret me thashetheme

thashemexhinjte

Foto: Freepik

Atë e ka zili edhe një agjent i CIA-s. Gjithmonë di gjithçka dhe i di këto gjëra para të tjerëve. Nëse doni të kërkoni ndonjë informacion, drejtojuni atij. Njeh gati çdo punonjës dhe di pothuajse gjithmonë çdo strategji të kompanisë ku punon.

Nuk ka rëndësi nëse e doni apo e urreni, pasi në mesin e mijëra informacioneve që mban, ka patjetër një informacion që lidhet me ju. Vendi i përsosur për të krijuar marrëdhënie me një koleg të tillë është takimi në kafene. Aty ky person zhbiron e zhurmon ngjarjet e mikrokozmosit të punës.

Punonjësi i përkyer

Tom Cruis-i i organizatës. Nuk e humb kurrë entuziazmin. Vrapon nga një departament në tjetrin dhe të gjithë e duan, veçanërisht shefat. Vështirë të ecësh në një vrull me të sepse gjithmonë merr iniciativën dhe duket sikur nuk gabon kurrë. Si ka mundësi që gjithmonë ka përgjigjet e duhura? Nuk do ta dimë kurrë. Ama përgatituni, sepse këta njerëz shpesh kanë karizmën e udhëheqësit. Në një farë mënyre do ta gjesh veten duke hyrë në orbitën e tij, aq e fortë është forca e tij gravitacionale.

Kolegu që vetëm ankohet

kolegu qe ankohet

Foto: Freepik

Nëse ka diçka të gabuar në punë ai e ka përjetuar i pari. Ka një problem me shefin, me burimet njerëzore, me pagën madje edhe me kondicionerin. Asnjëherë nuk duket i kënaqur, dhe gjithmonë ka diçka që duket se nuk shkon mirë për të.

Problemi qëndron se ai ndan zhgënjimin e tij me të gjithë. Shumicën e kohës, kolegë si këta duhen mbajtur sa më largë. Ndoshta edhe ti do ë kesh diçka për tu ankuar dhe do të përfundoni kështu në vorbullën e tyre. 

Rrëmbyesit e zemrave

Këta njerëz tërheqin vëmendjen tonë sapo i shohim. Janë magjepsës, shpesh të bukur, dhe ndonjëherë na duket sikur mund të kalojmë orë të tëra duke i dëgjuar. Të gjithë duan ta kenë pranë. Ky lloj kolegu është i vetëdijshëm për bukurinë që rrezaton, deri në atë pikë saqë e përdor për të arritur atë që do. Rrëmbyesit e zemrave shpesh nuk japin ndonjë kontribut të vecantë në kompani, por përdorin të gjitha armët e tyre për t’ju bërë të besoni të kundërtën. Nga anë tjetër, këta tipe kolegësh e duan ambientin e punës, prandaj janë gjithmonë të pranishëm dhe nuk bëjnë mungesa të pajustifikuara.

Kolegu që ha gjatë gjithë kohës

tipe kolegesh

Foto: freepik

Me patjetër do ta gjeni duke u përtypur. Pavarësisht nëse hanë nga nervozizmi apo kanë një metabolizëm që funksionon me shpejtësinë e dritës, gjithnjë do ta shihni duke ngrënë. Tavolina e tij është gjithmonë e shtruar (shpesh e çrregullt) dhe goja e tij gjithmonë e mbushur.

Nëse keni një kuzhinë të përbashkët, ky individ do të jetë mbreti i padiskutueshëm. Erërat që përhapen nëpër korridor janë vepra e tij. Mikrovala do rrotullohet me orë të tëra vetëm për të ngrohur ushqimet e tij.

Kolegu që thotë vetëm PO (lajkatari)

Gjithmonë thotë po për çdo propozim, për çdo detyrë, madje edhe për çdo qortim. Nuk e humbet kurrë mundësinë për t’i bërë përshtypje shefit. Zakonisht, ky lloj kolegu ka tendencë të formojë një grup të bashkuar ku ata bisedojnë vetëm me njëri-tjetrin (ose me shefat). Janë të parët që mbërrijnë në punë dhe të fundit që largohen. Janë kryesisht antipatikë. Mbi të gjitha sepse shpesh mendojnë se kanë të drejtën t’ju tregojnë se çfarë duhet të bëni në punë. Janë të parët që shkojnë dhe raportojnë te shefi i tyre se çfarë keni bërë gabim.

Shakaxhiu

shakaxhiu

Foto: Freepik

Ky lloj personi është gjithmonë i gatshëm të bëjë një shaka. Nuk ka ngjarje të zyrës ku ai nuk është protagonisti i ndonjë historie qesharake. Duket se asgjë se bën me humor të keq dhe është në gjëndje të heq tensionin e çdo momenti negativ në punë.

Nuk bashkëpunon dot lehtë me ta, sepse nuk e shprehin veten të gatshëm. Keta tipe kolegësh duan vetëm të shpërndajnë humor dhe buzëqeshje, madje as punën nuk duan ta marrin seriozisht.

Kolegu që nuk mungon kurrë

Nëse keni një prezantim për të përfunduar dhe jeni të detyruar të arrini në zyrë në orën 6 të mëngjesit ose të largoheni në orën 11 të mbrëmjes, të jeni i sigurtë se ai do të jetë aty. Gjithnjë i pranishëm dhe futet tek kategoria e kolegëve që nuk flenë kurrë. Gjithmonë të disponueshëm, gjithmonë të zënë, gjithmonë aty. Dikush edhe mund ta pyesë: a ke një shtëpi ku fle?

Çifti 

Cifti ne pune

Foto: @Korneevamaha via Twenty20

Kur kalojmë shumë kohë në një mjedis të caktuar është e lehtë të flirtojmë me ndonjë koleg pune. Me këtë koleg gjejmë veten duke ndarë momente pozitive dhe negative. Ka flirtime që nuk shkojnë më tej dhe ndonjëherë zbehen brenda mureve të punës.

Por, mund të ndodhë që disa çifte të mbijetojnë. Të tjerët që kanë miqësi me ta përpiqen të mbajnë marrëdhënien e tyre të fshehtë nga kolegët e tjerë. Në këtë rast dyshimi mund të jetë i bezdisshëm, por privatësia duhet respektuar. 

Argumentuesi (tipi “kam një opinion për gjithçka”)

Ka nga ata që përpiqen të shmangin diskutimet dhe ka nga ata që duket se kanë lindur për të diskutuar. Me këtë të fundit, rreziku ndodhet rreth qoshes. Argumentat e tyre mund t’ju bëjnë të humbisni toruan. Nëpër mbledhje nuk e humbasin kurrë mundësinë për të theksuar se diçka nuk është bërë ashtu siç duhet (sipas tyre). E kthejnë takimin në punë miniutash në një fushë të minuar. Përgatituni sepse herët a vonë këta tipe kolegësh do drejtohen tek ju për të argumentuar me ju.