Cilat janë tre aftësitë për një marrëdhënie të shëndetshme?

nga Flogerta Driza

Të gjithë e dinë se si duket një marrëdhënie e shëndetshme, por shumica e njerëzve nuk ia kanë idenë se si është të kesh një të tillë. Fatkeqsisht, askush nuk na e mëson këtë. Kështu u shpreh Joanne Davila ne një TEDxSBU talk.

Joanne është profesore e psikologjisë dhe drejtoresha e trajnimit klinik në Universitetin e Stony Brook, Nju Jork. 
Udhëzimet për një marrëdhënie të shëndetshme jepen në terapinë e çifteve, mirëpo është tepër vonë. Pse? “Sepse njerëzit e kanë zgjedhur tashmë personin që dëshirojnë të kalojnë jetën e tyre,” shpjegon ajo. “Po sikur të kesh bërë një zgjidhje të gabuar? Nuk ka terapi në botë që mund ta rregullojë një gjë të tillë.”

Prandaj, Joanne së bashku me kolegët e saj, na e lehtëson këtë zgjedhje. Si? Duke na treguar se cilat janë aftësitë që na duhen për të zgjedhur siç duhet një partner. Këto tre afësi janë: 

Mprehtësia

marrëdhënie shëndetshme

Foto: Freepik

“Mprehtësia ka të bëjë me vetëdijen, mirëkuptimin dhe me të mësuarin,” thotë Davila. “Duke patur këtë aftësi do të dini më mirë se kush jeni, çfarë keni nevojë dhe se çfarë kërkoni tek një partner.”

“Po të jeni i mprehtë, do të kuptoni pasojat pozitive dhe negative të sjelljes suaj,” thotë Davila. Kjo do të thotë se do ndiheni mirënjohës kur partneri ju sjell një filxhan kafe dhe ju dëgjon pas një dite të lodhshme pune. Duhet mendjehollësi përsa i përket fjalëve që thoni. Sa më të mprehtë të jeni aq më mirë do të njihni partnerin tuaj dhe njëkohësisht edhe veten.

Reciprociteti

Cift i lumtur

Foto: Freepik

“Reciprociteti ka të bëjë me aftësinë për të njohur nevojat që kanë të dyja palët.” thotë Davila. “Duke i njohur këto nevoja, do të jeni në gjendje t’i përcillni ato në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë.” Mësoni si të komunikoni dëshirat tuaja dhe të mirëprisni njëkohësisht edhe ato të partnerit.

“Reciprokiteti do t’ju nxisë të jeni të gatshëm të mbështesni partnerin tuaj edhe kur nuk e dëshironi një gjë të tillë. Një shembull tjetër është edhe kur jeni shumë të ngarkuar me punë, mirëpo doni të kaloni kohë me partnerit tuaj. Duke arritur në një marrëveshje reciproke, mund të gjeni një rrugë të mesme. Sakrifica duhet bërë të dyja palët.”

Rregullimi i emocioneve

nje marrëdhënie shëndetshme

Foto: Freepik

“Rregullimi i emocioneve nënkupton sistemimin e ndjenjave tuaja si reagimin ndaj gjërave që ndodhin në marrëdhënien tuaj.” thotë Davila. “Duke ditur si t’i rregulloni apo përmbani reagimet tuaja në çdo situatë, marëdhënia juaj do të përmirësohet.”
Po, ashtu është, reagimi i tepruar pas çdo zënkë apo diskutim që keni në çift, vetëm sa i përkeqëson gjërat.

Për shembull, nuk keni pse kontrolloni telefonin çdo dy sekonda, se përse partneri nuk është përgjigjur ende. Vetëkontrolli dhe përmbajtja do t’ju bëj të shmangni shumë konflikte të kota.” – këmbëngul Joanne.

Të treja aftësitë janë të nevojshme për një marrëdhënie të shëndetshme. Nuk është kurrë vonë për t’i mësuar ato për sa kohë që rrjedhoja është pozitive. Sa më parë të filloni t’i vëni në punë këto tre aftësi – aq më mirë do jetë për ju dhe marrëdhënien tuaj në të ardhmen.

dua Marketplace banner