Çfarë mësojnë saktësisht meshkujt nga dashuria e parë?

nga Flogerta Driza

Vajzat janë më idealiste kur përmendet dashuria e parë, mirëpo edhe për meshkujt dashuria e parë është shumë e rëndësishme. Pas eksperiencës së dashurisë së parë, meshkujt mësojnë gjëra të cilat nuk i harrojnë kurrë.

Përveç fluturave në bark dashuria e parë i mëson meshkujve kompromisin dhe përkushtimin. U mëson edhe frikën e humbjes dhe thyerjen e zemrës. Për më tepër lexoni këtë artikull deri në fund!

Kompromiset janë të rëndësishme

lovePër disa meshkuj, dashuria e parë është po ashtu hera e parë që ata lidhen. E dihet se në lidhje i presin një sërë kompromisesh.
Për të qënë më të saktë, mund të jetë gjithashtu hera e parë që ata kanë pranuar të bëjnë këto kompromise. Kjo sepse e vlerësojnë lidhjen e parë shumë.
Nëse jeni dashuria e parë për një mashkull, bëjuani më të lehtë atij idenë e kompromisit në një lidhje. Tregojini atij se komunikimi është çelësi i lidhjes. Kështu dalngadal ata kuptojnë se si është të mendosh për dy persona, në vend se të mendojnë vetëm për veten. Mësojnë t’i zgjedhin prioritetet e veta. Qoftë edhe mes gjërave të thjeshta si një pasdite me ju, apo një pasdite me shokët.

Lidhja mund të jetë e lodhshme

Një mashkull mëson nga dashuria e parë se lidhja mund të jetë e lodhshme. Ndonjëherë mund t’ju thotë gjëra që do t’ju nevrikosë, ose anasjelltas. Mund të mos ketë pasur kurrë zënkë me ndonjë vajzë, sidomos jo me një që e pëlqen. Por, ka rëndësi që kur jeni duke njohur njëri – tjetrin të shihni se pse keni zënka të shpeshta. Kjo nuk është një gjë domosdoshmërisht e keqe! Madje, mund t’ju ndihmoj të njihni kufijtë e njëri – tjetrit. Mashkulli në këtë rast mëson, se p.sh. të flasësh me një femër tjetër nuk është ok, sidomos kur jeni në një lidhje serioze. Meshkujt mësojnë nga dashuria e tyre e parë se momentet e vështira janë pikërisht momentet e rritjes.

Mund të mos jeni e duhura

loversVetëm sepse keni rënë në dashuri nuk do të thotë se lidhja do të funksionoj për një kohë të gjatë. Dashuria mund të mposhtë mosmarrëveshje të vogla por lidhjet ndonjëherë përballen edhe me probleme të pakapërcyeshme. Meshkujt mësojnë se ndonjëherë dashuria nuk mjafton. Mësojnë se duhet të kombinohen shumë gjëra që dikush të jetë e duhura për dikë.

Ndarja dhemb shumë

Dashuria e madhe është edhe një humbje e madhe.  Këtë fakt meshkujt e kuptojnë vetëm pasi ndodh ndarja e tyre e parë. Sepse jua garantojmë se ata mërziten po njësoj si femrat. Vetëm se ndoshta e shprehin në mënyra të ndryshme.  E rëndësishme është që ata të mos e harrojnë këtë mësim të dashurisë së parë dhe mos ta përsërisin më. Fatkeqësisht nuk ndodh gjithmonë kështu.