6 shenja se jeni në një marrëdhënie të shëndetshme

nga Flogerta Driza

Është natyra njerëzore ajo që na shtyn të tërhiqemi ndaj njëri-tjetrit dhe të dëshirojmë praninë e dikujt. E duam shpirtërisht marrëdhënien romantike! Mirëpo, jo të gjitha lidhjet janë njësoj.
Por, nga ta kuptoni nëse lidhja juaj do të zgjasë? A është mirë për anën tuaj shpirtërore dhe emocionale?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kemi zgjedhur gjashtë shenja që tregojnë se çfarë është një marrëdhënieje të shëndetshme.

Komunikimi i vazhdueshëm

Një marrëdhënie është një ‘asgjë’ pa komunikimin. Aftësia për të identifikuar dhe artikuluar emocionet tona individuale dhe pastaj të dëgjojmë njëri-tjetrin kur shprehemi, e shumfishon dashurinë.
Komunikimi në një marrëdhënie të shëndetshme nënkupton se jeni të aftë të bëni bisedat e vështira. Ju dhe partneri juaj nuk trembeni dhe i besoni njëri-tjetrit kur jeni të frustruar apo të thyer emocionalisht. Mund të flisni dhe të komunikoni ndjenjat, por edhe të dëgjoni personin tjetër.
Komunikimi i hapur ndihmon çiftet që të jenë emocionalisht më mirë. Rrjedhimisht zgjidhin problemet dhe rriten duke e dashur edhe më shumë njëri-tjetrin.

dua.com

Pranimi i dobësive

Në mënyrë që të jeni sa më i përkushtuar ndaj dikujt duhet të jeni i gatshëm të shfaqni veten tuaj plotësisht. Studiuesja Brene Brown shpjegon se si pranimi i dobësive është baraz me guximin për të qenë jo perfekt. Kjo tregon gjithashtu gatishmërinë tuaj për të investuar emocionalisht në një marrëdhënie që mund edhe të mos funksionojë.
Ata që nga ana tjetër rezistojnë dhe nuk munden apo nuk duan të rrëzojnë muret e tyre, nuk janë të aftë të përjetojnë intimitet të plotë me personin tjetër. E kundërta ndodh me ata që shpalosin veten e tyre me të gjitha papersosmëritë që kanë. Këta të fundit kanë mundësi të krijojnë një marrëdhënie shumë më të kënaqshme dhe të përmbushur.

Elasticiteti

Të dalësh në një takim me një person të ri është shumë argëtuese në fillim, sidomos kur jeni ende duke përjetuar “muajin e mjaltit”. Një marrëdhënie është e pjekur dhe e shëndetshme atëhere kur jeni elastik ndaj sfidave.
A keni përjetuar ju dhe partneri juaj kohë të vështira? Dhe pasi keni triumfuar a e ndjeni veten më të fortë se kurrë? Ndoshta keni humbur punën, keni pasiguri financiare, ose keni ndërruar vendbanim? Ndoshta keni pasur opinione të ndryshme që kanë çuar në debat?
Sfida si këto shpesh zbulojnë nëse marrëdhënia funksionon ose jo. Nëse ju dhe partneri juaj keni kaluar disa stuhi së bashku, i keni dëshmuar vetes se jeni të fortë. Mbi të gjitha keni kuptuar se keni një marrëdhënie të shëndetshme.

Zhvillimi dhe rritja

Një marrëdhënie e shëndetshme asnjëherë nuk ngec, por në vend të kësaj është gjithmonë në zhvillim e sipër. Njerëzit në një marrëdhënie të pjekur e gjejnë veten e tyre duke bërë progress. Ecni përpara në arritjen e qëllimeve tuaja jo vetëm si individë, por edhe si çift.
Nëse ju duket vetja se jeni konsumuar në të tashmen dhe jeni i shqetësuar për të ardhmen me partnerin tuaj, atëhere marrëdhënia juaj mund të mos jetë aq e fortë sa të zgjasë.
Nga ana tjetër, nëse bëni plane që ju përfshijnë të dyve, dukeni se jeni në të njejtën fazë. Kur jeni të entuziazmuar për atë se çfarë do t’ju sjellë e ardhmja, atëhere ju dhe partneri juaj tregoni shenja të një marrëdhënieje të fortë.

Kohë cilësore vetëm

Çiftet në një marrëdhënie të sigurtë natyrisht dëshirojnë të jenë së bashku, por kanë gjithashtu nevojë për kohë vetëm. Thuhet se “Malli shton dashurinë.”
Nëse një çift ndahet përkohësisht për çfarëdo arsye dhe nuk ka entuziazm për tu ritakuar, atëhere marrëdhënia nuk ka për të zgjatur. Nga ana tjetër, një udhëtim pune, pushime me familjen, apo qoftë edhe një pauzë e shkurtër që i bën çiftet ta dëshirojnë më shumë njëri-tjetrin, është një shenjë e mirë për marrëdhënien e tyre.
Asnjëri nga partnerët nuk ka atë ndjenjën se duhet të qëndrojë me tjetrin çdo sekondë. Por, nëse mezi presin të jeni së bashku përsëri, është shenjë e garantuar e një marrëdhënieje të shëndetshme.

Jeni vërtetë të lumtur

Kjo dihet! Lumturia është përbërësi vendimtar për një marrëdhënie të shëndetshme. Të jesh i lumtur nuk nënkupton të mos kesh kurrë probleme. As nuk nënkupton që ndjeheni i përmbushur nga partneri juaj gjatë gjithë kohës.
A ndjeni ende fluturat në stomak kur partneri juaj ju dhuron një puthje? A e keni ende atë shkëndijën edhe pas kaq kohësh? A jeni rritur duke e dashuruar njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë? Ekzaminoni ndjenjat tuaja, jini të sinqertë me veten, dhe përcaktoni nëse jeni vërtetë të lumtur me personin që keni përkrah.

Mbani mend: “Asnjë marrëdhënie nuk është perfekte.”

Ndonjëherë përjetojmë dhimbje dhe na thyhet zemra. Çështja është se, përvoja të tilla na ndihmojnë të mësojmë dhe të përgatisim veten për një marrëdhënie më cilësore në të ardhmen. Praktikoni kultivimin e këtyre karakteristikave me partnerin tuaj për të patur një marrëdhënie më të fortë.