A bëhemi më kreativ kur biem në dashuri?

nga Flogerta Driza

A na bën më kreativ dashuria? Ne e dimë se dashuria ka frymëzuar vepra arti të panumërta, duke filluar nga shfaqje të pavdekshme si Romeo dhe Xhulieta e deri tek kryeveprat arkitektonike si Taj Mahal. Ka frymëzuar këngët klasike pop si “Love of my life” e grupit legjendar Queen-s dhe jo vetëm.

Ndaj, natyrisht lind pyetja: Përse dashuria është një emocion kaq stimulues? 

Kur biem në dashuri fillojmë të mendojmë ndryshe. Kjo hipotezë u testua se fundmi nga psikologët Jens Förster, Kai Epstude dhe Amina Ozelsel në Universitetin e Amsterdamit. Studiuesit zbuluan se dashuria ndryshon vërtet mënyrën se si mendojmë. Eksperimentet treguan se dashuria promovon të menduarit kreativ dhe ndërhyn në të menduarit analitik. Kur mendoni për marëdhëniet seksuale, megjithatë, efekti është i kundërt.

Dashuria na zgjeron horizontin

horizonti

Foto: @Mel76 via Twenty20

Studiuesit sugjerojnë se dashuria nxit zgjerimin e perspektivës (horizontit). Kjo për shkak se dashuria si ndjenjë të shtyn të mendosh për të krijuar një lidhje të fortë me një person, që të zgjasë në kohë. Ndërsa, dëshira seksuale zakonisht është e përqendruar në përfshirjen e aktivitete seksuale të momentit.

Kur studiuesit u kërkuan njerëzve të imagjinonin një takim romantik, zbuluan se njerëzit i paramendonin takimet romantike larg në të ardhmen. Të menduarit për ngjarje që janë larg në të ardhmen apo të kaluarën – ose çdo lloj distancimi psikologjik shkakton stimulim në tru. Kjo gjë na shtyn të imagjinojmë më shumë se zakonisht dhe rrjedhimisht të jemi më kreativë.

Për shembull, përpjekja që bëni për të gjetur një dhurate për partnerin tuaj. Kur filloni të imagjinoni se cfarë doni t’i dhuroni partnerit, truri juaj stimulohet dhe kreativiteti arrin kulmet. Sepse në atë moment ti mendon se si ta bësh partnerin tënd sa më të lumtur. Kujtdo prej nesh mund t’i ketë ndodhur kjo gjë. Dashuria na bën të mendojmë gjëra që më parë as që na shkonin nëpër mend. Kjo, nga ana tjetër, mund të sjelli në mendje ide më të larmishme dhe origjinale. A ka më kreative se të gjesh diçka origjinale?

Dashuria hyn nga dera, llogjika del nga dritarja

kreativ

Foto: @jacobandrews64 via Twenty20

Autorët sugjerojnë që, për shkak se dashuria aktivizon një perspektivë afatgjatë mund të promovojë krijimtarinë, por pengon mendimin analitik. Kjo do të thotë se kur biem në dashuri nuk mendojmë më me llogjikë. Pra bëhemi kreativ, por jo analitik.
Nuk është çudi që të filloni të krijoni poezi, këngë apo piktura më të bukura. Edhe pse mund të jetë komplet jashtë llogjike për ne, që kurrë s’kemi prekur një tel kitareje, sërisht dashuria na shtyn drejt artit dhe krijimtarisë.

Një nga implikimet më të dukshme të këtyre eksperimenteve tregoi se dashuria nuk ndikon vetëm në mënyrën si e shohim partnerin tonë. Përkundrazi, ndikon edhe në mënyrën se si shohim gjithçka tjetër. Edhe bota do fillojë të duket më e ëmbël në ngjyra, madje as njerëzit nuk do t’ju duken aq negativë. Në ato momente ndjejmë se mund të ndryshojmë botën, ose të paktën kemi ndryshuar perspektivën tonë.

Studimet e kryera, në fakt, vetëm vërtetojnë atë që ne e kemi ditur prej kohësh. Se fluturat në stomak ndoshta nuk janë të vërteta, por ama janë burim i imagjinatës sonë dhe kjo e fundit shtohet sidomos kur biem në dashuri. E përse të mos e bëj, në fund të fundit dashuria është një nga ndjenjat më të bukura në botë.