A ekziston miqësia e vërtetë midis femrave dhe meshkujve?

nga Flogerta Driza

Vetë fakti që njerëzit raportojnë se kanë miqësi jo seksuale midis femrave dhe meshkujve është e çuditshme për studiuesit. Sepse sipas evolucionistëve dhe shkencëtarëve kjo gjë nuk duhet të ekzistojë.
Psikologët kanë studiuar prej kohësh ndryshimet midis femrave dhe meshkujve. Disa kërkime janë kryer për të kuptuar se si funksionojnë marrëdhëniet romantike. Dhe disa të tjera janë interesuar për dinamikën e marrëdhënieve platonike, apo jo-romantike midis femrave dhe meshkujve dhe nëse mund të ketë apo jo një gjë të tillë!

Për këtë arsye, kohët e fundit, janë realizuar disa studime për të kuptuar nëse një mashkull dhe një femër të jenë vërtet “miq”.
Ashtu si marrëdhëniet romantike midis meshkujve dhe femrave, studiuesit vlerësuan fenomenin e miqësisë midis tyre, gradualisht. Ndoqën evolimin e fazave t miqësisë, krijimi i marëdhënies, ecuria dhe përfundimi i saj.

dua.com

Miqësitë e përziera gjinore janë parë si trend i kohëve të fundit.

Në të shkuarën nuk ka qënë aspak e zakonshme që burrat dhe gratë të kenë marrëdhënie shoqërore përveç synimit për martesë.
Me rritjen e numrit të grave në vendin e punës edhe marrëdhëniet mashkull-femër janë rritur jashtë kontekstit të martesës. Papritur, meshkujt dhe femrat kishin më shumë interesa të përbashkëta. Duke kaluar kështu më shumë kohë së bashku jashtë shtëpisë apo në ambientet sociale!

Një tjetër studim u krye në kampuset e kolegjit për t’iu përgjigjur disa prej pyetjeve në lidhje me marrëdhëniet platonike mashkull/femër.
Pas disa eksperimentesh sociale, meshkujt raportuan më shumë tërheqje seksuale tek shoqja e tyre sesa e kundërta. Ky rezultat pritej, megjithatë numri nuk ishte aq i madh sa u mendua fillimisht.
Me pak fjalë meshkujt tërhiqen më tepër seksualisht ndaj femrave sesa femrat ndaj meshkujve. Flasim këtu gjithmonë për një marëdhënie miqësore. Ama duhet të pranojmë që shpesh, femrat tregohen më të rezervuara.

Pra, a mundet një femër e një mashkull të jenë “veç miq”?

Studimi tregon se po, burrat dhe gratë mund të jenë në një marrëdhënie jo seksuale. Kjo duket mjaft e qartë!
Kudo të shkoni, do shikoni femra dhe meshkuj që bashkëveprojnë, duke qeshur, duke biseduar dhe duke u shoqëruar pa ndërveprim seksual. 

Megjithatë, kjo nuk do të thotë, se tërheqja seksuale apo tensioni midis tyre nuk është i pranishëm. Meshkujt kanë treguar se gjithmonë kanë atë mendimin se “shoqja e tyre”, nga momenti në moment mund të shndërrohet në diçka më shumë.
Femrat nga ana tjetër duket se i kanë më të qarta përkufizimet që vendosin, pra janë më pak të “tunduara”.

Tërheqja është një pjesë e evolucionit që ne nuk kemi asnjë kontroll. Nuk është e gabuar që të ndihesh i tërhequr ndaj mikut apo mikeshës që ke. Kur kjo tërheqje është e ndërsjelltë mund të përfundojë në një marëdhënie romantike.
Ndërsa në rastet kur kjo ndjenjë nuk është e ndërsjelltë, gjërat shkojnë ndryshe. Në momentin që tjetri kupton tërheqjen që ka miku apo mikesha e vet, mund edhe ta përfundojë miqësinë.
Kjo nuk do të thotë që meshkujt dhe femrat nuk mund të jenë miq, kjo do të thotë që kur vjen puna tek kjo temë, gjithçka është e ndërlikuar.