‘A po shkon sivjet në Kosovë?’ – Ja çka thonë të rinjtë e Diasporës

nga Argjenda Selmani

Për vizita në familje, për pushime në bregdet, për ngjarje sportive e për shetitje nëper vendet shqipfolëse.
Këto janë disa nga arsyet pse të rinjtë e Diasporës marrin çdo verë rrugën për atdhe.

Mirëpo gjendja aktuale në shumë vende të botës me COVID19 mund t’ua ndryshojë planet edhe atyre këtë vit.
Si po ndihen ata këto ditë kur si masë mbrojtëse nga koronavirusi të gjithë kufijtë ajror dhe tokësor po mbyllen?

“A po shkon sivjet në Kosovë?” është pyetja që mërgimtarët po ja bëjnë këto ditë njëri-tjetrit. Këtë pyetje jua kemi shtruar miqve tanë nga Diaspora që na ndjekin në faqën tonë zyrtare në rrjetin social Twitter.  Ja se çfarë thonë disa prej tyre:

‘Do të mërzitëm nëse nuk vi, më merr malli edhe për ajrin e Kosovës’

Waiting in airportFamilja e Astrit Brahimit nga Mitrovica kishte migruar në Suedi kur Astriti ishte vetëm një vjeç. Megjithatë, Astriti ka vizituar Kosovën çdo vit prej që ka mbushur 13 vjet. Sot ai është 29 vjeçar. Këtë vit ai nuk e di se a do të mund ta vizitojë Kosovën.
“Nuk kam qenë në Kosovë qe një vjet e gjysmë. Kisha plan të vija për lojën e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut. Mirëpo nëse këtë verë më pamundësohet të vijë do të jetë shumë e vështirë”, thotë Astriti i cili shton se e ka marrë malli edhe për  ajrin e Kosovës.

“Jam shumë i lidhur me Kosovën. Kur ekipi i Kosovës luan futboll e ndiej zemrën që më rrah më shumë”, thotë Astriti i cili është rritur në Suedi. Atje ai ka krijuar edhe familje. Ka grua dhe fëmijë. Për të gjitha mundësitë që i ka dhënë shteti suedez ai është mirënjohës por thotë se zemrën e ka në Kosovë.

Kjo gjendje po shkakton shumë pasiguri

plane

Jetmir Rama është nga Prishtina dhe jeton që nga viti 2016 në Bienne në Zvicër.  Atje punon dhe studion. Në kushte normale Kosovën e viziton çdo 2-3 muaj.  Ai thotë se për verë ka planifikuar pushimin e zakonshëm në ndonjë bregdet dhe pastaj për pak ditë edhe qëndrimin në Kosovë.

“Si në shumicën e vendeve të botës, COVID-19 na e ka paralizuar jetën e përditshme edhe në Zvicër. Personalisht jam duke punuar që nga kthimi prej Kosovës 100% vetëm nga shtëpia. Masat momentale, që parashihen deri në fund të prillit, na e ndalojnë të udhëtojmë diku jashtë Zvicrës”, thotë Jetmiri.

Ai shton se shkaku i këtyre ngjarjeve për momentin ka pasiguri të madhe në lidhje me pushimet. Gjithsesi mbetet me shpresë që gjendja do të përmirësohet dhe kjo situatë të kalohet me lehtësi.

‘Edhe nëse hapen kufijtë vendimi për të udhëtuar do të jetë i vështirë’

girl in planeElisa Povataj nga Komuna e Deçanit jeton në Paris të Francës që nga viti 2010. Elisa kishte menduar të vizitonte Kosovën gjatë muajit mars. Ajo po ashtu kishte planifikuar një udhëtim në Ballkan gjatë verës.  Mirëpo, situata aktuale me koronavirusin ka vënë shumë gjëra në pikëpyetje.

“Situata aktuale është duke ndikuar në tërë botën. Qoftë në aspektin shëndetësor, ekonomik, shoqëror e politik. Edhe nëse kujfijtë hapen së shpejti do të jetë e vështirë të merret vendimi për të udhëtuar.

Gjithmonë duke i menduar pasojat që COVID19 mund ta ketë dhe mundësinë që mund ta bartim atë nga një vend në tjetrin”, thotë Elisa. Tutje ajo shton që shpreson që situata së shpejti do të normalizohet dhe ditë më të mira do të vijnë!

Në këtë blog u fokusuam tek pikëpamjet e disa të rinjve shqiptarë që janë rritur në mërgim apo edhe kanë migruar më vonë. Në artikullin e publikuar para disa ditësh mund të lexoni pikëpamjet e disa prej mërgimtarëve që kanë lënë Kosovën  si të rinjë rreth 30 vite më parë.