Ç’mendojnë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria për njëri-tjetrin?

nga Flogerta Driza

Pjesa më e madhe e të anketuarve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë kanë deklaruar se nuk do kishin asnjë problem që të kenë marëdhënie shoqërore me dikë nga Kosova/Shqipëria.

Deri më tani kanë ekzistuar studime të pjesshme në Shqipëri dhe Kosovë, të kufizuara në disa fusha. Por, asnjëherë nuk është bërë një studim i gjerë në të dy vendet njëherësh. Ç’mendojnë për njëri-tjetin Kosovarët për Shqiptarët?

Për të kontribuar në këtë drejtim, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) në fund të vitit 2018 kanë përfunduar një hulumtim të gjerë në Kosovë dhe Shqipëri. Ky studim ka matur ndërveprimin dhe qëndrimet e qytetarëve të të dyja vendeve sa i përket një sërë çështjesh.

Nderveprimi, perceptimet dhe stereotipet ndaj njëri-tjetrit

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

Sa i përket qëndrimeve dhe stereotipeve, qytetarët e anketuar janë pyetur rreth vlerave individuale dhe familjare. Nëse ato i vlerësojnë/gjejnë më shumë tek shqiptarët e Kosovës apo Shqipërisë. Si për shembull: “Cilët janë më punëtorë, më të besës, më tradicional, më familjarë, etj”
Gjatë tetorit dhe nëntorit të 2018-ës janë anketuar 2,504 qytetarë nga të dyja vendet: 1,200 në Shqipëri dhe 1,304 në Kosovë (1,004 shqiptarë)

Nderveprimi

Vizitat e ndërsjellta mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë janë shtuar dukshëm, sidomos pas çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të Rrugës së Kombit. Por, qytetarët e Kosovës e vizitojnë Shqipërinë më shumë se sa shqiptarët Kosovën. 
Sipas hulumtimit në të dy vendet, 88.7% e shqiptarëve të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë, ndërkohë që vetëm 31.6% e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën. 

Shpeshtia e vizitave midis vendeve

Nëse i referohemi shpeshtësisë së vizitave brenda grupeve, qytetarët e Shqipërisë që vizitojnë Kosovën, e bëjnë këtë më shpesh se sa qytetarët e Kosovës që vizitojnë Shqipërinë. 
Shpeshtësia e vizitave të qytetarëve të Shqipërisë në Kosovë ndërlidhet me punësimin.14% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se: “Arsye e vizitave në Kosovë ka të bëjë me punën.” Ndërsa të njëjtën arsye për vizitat në Shqipëri e kanë përmendur vetëm 4% e të anketuarve në Kosovë. 

Në përgjithësi turizmi është arsyeja kryesore për vizitat e ndërsjellta

Nën 30% e të anketuarve në të dyja vendet kanë deklaruar se kanë miq, familjarë, apo shok pune në shtetin tjetër. Pjesa dërmuese e atyre që nuk e kanë vizituar Shqipërinë apo Kosovën, shprehen se do të dëshironin të bënin një gjë të tillë, por nuk mund ta bëjnë për shkak të kufizimeve financiare.

Një pjesë e të anketuarve në Shqipëri dhe Kosovë (20%) kanë deklaruar se nuk kanë vizituar vendin tjetër për shkak të largësisë. Të dhënat nga anketa tregojnë se sa më e madhe distanca, aq më të pakta vizitat. Qytetarët e jugut të Shqipërisë në masë më të madhe kanë përmendur distancën si arsye për mos vizituar Kosovën. Kurse arsyet financiare janë përmendur nga të anketuarit me të ardhura familjare nën 30,000 lek (rreth 240 euro) në muaj.

Distanca sociale mes vetë shqiptarëve

Pjesa më e madhe e të anketuarve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë kanë deklaruar se nuk do kishin asnjë problem që të kenë marëdhënie shoqërore me dikë nga Kosova/Shqipëria. “Të jetojnë në një fshat, qytet, lagje me dikë nga Kosova/Shqipëria, apo të punojë në të njëjtin vend pune.”

Për një nuancë, shqiptarët e Shqipërisë janë shprehur më shumë në favor për të pasur lidhje shoqërore, për të ndarë të njëjtin vendbanim ose vendpune me shqiptarët e Kosovës, se sa anasjelltas. Por, përgjigjet pozitive fillojnë të bien si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kur pyeten nëse do të preferonin që të kenë lidhje martesore me shqiptarët nga Shqipëria/Kosova.

Kur u pyeten për gatishmërinë për të lidhur martesë me dikë që i takon një besimi fetar tjetër, 79% e të anketuarve në Shqipëri nuk e ka problem. Mirëpo, vetëm 13.5% e të anketuarve në Kosovë mbajnë të njëjtin qëndrim.
Rreth 37% e shqiptarëve në të dy anët e kufirit kanë deklaruar se kanë shok/shoqe nga Kosova/ Shqipëria.

Vlerat dhe Paragjykimet 

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

Sa i përket vlerave që kanë të bëjnë me ndershmërinë, besimin, vetë-iniciativën, mikpritjen, qëndrimet ndaj punës, etj., shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë paragjykime të mëdha ndaj njëri-tjetrit. 

Shqiptarët e Shqipërisë besojnë se në krahasim me shqiptarët e Kosovës kanë:
Më shumë vetë-iniciativë, janë më familjarë, janë më mikpritës, më të arsimuar, më të besës, më punëtorë.
Njësoj, shqiptarët e Kosovës po ashtu besojnë se janë: Më familjarë, më mikpritës, më të besës, më punëtorë, më të hapur ndaj botës e me më shumë iniciativë.

Të vetmën vlerë të cilën shqiptarët e Kosovës ua pranojnë shqiptarëve të Shqipërisë është arsimimi më i mirë

Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë vlerësojnë se shqiptarët e Kosovës janë më të hapur ndaj botës. Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë pajtohen se shqiptarët e Kosovës janë më fetar dhe më tradicional.
Sa i përket edukimit, ata që kanë përfunduar universitetin kanë treguar afërsi më të madhe sociale me shqiptarët e Shqipërisë, krahasuar me ata vetëm me shkollë fillore.

Qytetarët e Kosovës ndjekin më shumë mediat e Shqipërisë, se sa anasjelltas

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

Dizajni i fotove realizuar nga: Envinion

34% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë ndjekur mediat e Kosovës (TV/gazeta/portale).
17% e shqiptarëve të anketuar në Kosovë deklarojnë se nuk ndjekin kurrë mediat e Shqipërisë.
45% e shqiptarëve të Kosovës kanë deklaruar se ndjekin çdo javë ose disa herë në javë mediat e Shqipërisë, kurse të njëjtën e deklarojnë vetëm 23% e qytetarëve të Shqipërisë për mediat e Kosovës.