‘Cuk, po ti do me vdesësh mua.’ Si kanë shënjuar kulturën tonë filmat shqiptar?

nga Flogerta Driza

Nëse Anglia ka Shekspirin për të cituar sa herë në bisedat e tyre të përditshme, ne kemi filmat tanë bardhë e zi. Ok, e di se filmat tanë nuk janë të të njëjtës mjeshtëri artistike me veprat e Shekspirit, megjithatë për ne të tillë vlerë kanë.
Në rubrikën tonë të radhës do të flasim pikërisht për batutat e filmave shqiptar që citohen më së shumti në bisedat tona të përditshme. Edhe pse, me thënë të drejtën, nuk do të na shterohen kurrë skenat dhe batutat e përdorura.

Dy herë mat

Zgjodha ta nis me këtë film, edhe pse ka shumë të tjerë, sepse e lidh me fëmijërinë time. Dy here mat” është një film komik shumë i pëlqyer. I drejtuar nga Bujar Kapexhiu që kesaj rradhe luan protagonistin e filmit. Filmi është i mbushur plot me situata komike te papritura. 
Megjithatë, ne nuk do zgjatemi tek përmbajtja e filmit, ju ftojmë ta shikoni ju që nuk e keni parë. Ajo për të cilin do flasim janë batutat më të njohura të përdorura në të folurën e përditshme nga ne, marrë nga ky film.

‘Edhe akullore edhe çokollate.’

Rudina filmat

Foto shkëputur nga filmi “Dy herë mat”

Kjo është një batutë e pavdekshme, saqë edhe sot përdoret rëndom në bisedat e përditshme.
Batutën së pari e thotë aktorja Manjola Begolli që luan Rudinën, por është Fadil Kujovska (1951-2014), aktori që luan Cukun e famshëm ai që i jep efektin humoristik që mban kjo mbatutë.

Më kujtohet kur isha një vajzë e vogël dhe po blija akullore, mirëpo doja të blija edhe një pako bsikota dhe po i bëja teka mamit. “E dua edhe këtë, edhe këtë.”
Në atë moment shitësi mu drejtua: “Oh dashka edhe akullore edhe çokollatë.”
Tensioni i situatës sikletosëse për mamin tim u zbut menjëherë dhe plasën të qeshurat. Sigurisht, unë nuk kuptova gjë.

Shumë më vonë kur pash filmin e kuptova nga erdhi kjo shprehje kaq e goditur, dhe kujtimi shoqërohet përherë me buzëqeshje.

‘Shahisti nuk vjen.’

Fadil Kujovska filmat

Foto shkëputur nga filmi “Dy herë mat”

Nuk numërohen rastet sa herë na ka ndodhur të presim miq në sofrën tonë. Cuku humoristik nuk zhgënjen as këtë radhë.

Në shumë raste, edhe pse tavolina e shtruar, pa mbërritjen e mikut nuk fillonim kurrë për të ngrënë.
Prandaj, sa herë na ndodhte diçka e tillë, dilte ndonjë fëmijë karagjoz andej nga fundi dhe bërtiste “Shahisti nuk vjen.”
Sigurisht të qeshurat e shoqëronin situatën e tensionuar, sidomos kur të gjithë ishin të uritur duke i ngulur sytë tavolinës së tejmbushur.
Pas kësaj batute kërrcisnin lugët e pirunjtë dhe dollitë me miqtë e pranishëm.

‘Kush jemi ne? Familja e shokut Kopi.’

Fadil Kujovska

Foto shkëputur nga filmi “Dy herë mat”

Gjatë viteve 2000 ka qënë modë të të merrnin me numër privat.
Në atë kohë shpërtheu përdorimi i celularëve dhe u përhapën masivisht për herë të parë edhe kompanitë celulare.
Imagjinojeni pak se sa shpesh është përdorur kjo batutë.

Duke u shoqëruar medoemos me atë zërin e trashë të aktorit Fadil Kujovska, Cuku i famshën i këtij filmi legjendar.
Sa herë që pyesnim kush jeni, përgjigja ishte gjithmonë: “Kush jemi ne? Familja e shokut Kopi”
Kur kombinon dyshen Fadil Kujovska dhe Aleko Prodani nuk mund të mos kesh një skenë të paharrueshme humori.
Dhe nuk është për tu çuditur që batutat e përmendura nga këta të dy, na kanë ngelur të ngulitura në memorie, si më të cituarat ndër filmat më të njohur shqiptar.

‘Cuk, po ti do me vdesësh mua.’

Aleko Prodani

Foto shkëputur nga filmi “Dy herë mat”

Nuk mund ta mbyllnin ndryshe këtë artikull pa përfshirë këtë batutë që nuk do arrijmë kurrë ta nderojmë mjaftueshëm.

Kjo është skena që ndjek batutën e mësipërme të Cukut të famshëm, dhe ndërkohë që shoku Kopi vrapon në shtëpi i frikësuar në palcë se mos gruaja po e tradhëton, i shton efektin e pavdekshëm komik.
Shprehia e fytyrës së aktorit Aleko Prodanit (1942-2006), ose ndryshe i njohur si shoku Kopi është skalitur përgjithmonë në kujtesën tonë.

Jo vetëm që përdoret rëndom si batutë sa herë që dikush na e sjell shpirtin në majë të hundës, por mundësisht ta shoqërojmë edhe me atë shembjen karakteristike në karrike duke dihatur të rraskapitur.
Më kujtohen situata pa fund kur mblidheshim familjarisht. E përdornim me njëri-tjetrin këtë batutë, sidomos kur nuk arrinim të kuptonim njëri-tjetrin.

Fëmijëria, vitet e adoleshencës, në ambjentet e zyrës e shumë të tjera, vazhdojnë të dëgjohen sa herë këto batuta, të cilat i ruajmë me përzemërsi në memorien tonë. Kultura jonë është e përbërë nga copëza të tilla dhe referenca nga fimat që mendojmë se nuk do të shuhen ndonjëherë.

Kjo është pikërisht ajo çka i bën filmat kaq të bukur dhe kaq të lidhur fortë me kulturën tonë gjuhësore. Këtu e mbyllim rubrikën duke ju premtuar se do t’ju sjellim edhe shumë filma të tjerë me batutat më të paharrueshme.

Shkruar nga: Flogerta Driza
flogerta@dua.com

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓