Dashuria në kohën e koronës – Si t’i evitojmë grindjet?

nga Argjenda Selmani

E pranuam apo jo, qëndrimi mbyllur me të dashurit apo bashkëshortët gjatë koronës po na shkaton ndonjëherë edhe stres dhe grindje. Të gjithë kemi një pyetje në kokë. Si t’i mbajmë marrëdhëniet tona të shëndosha gjatë mbylljes?

Dr Judith Zur, një psikologe klinike dhe terapiste e familjes martesore,ka disa këshilla. Ajo shpjegon se duke pasur parasysh stresin e pandemisë koronavirus, shumë prej nesh nuk do të jemi shumë mirë emocionalisht. Zur thotë se shtimi i panikut dhe ankthit do të ndikojnë tek ne. Mos të harrojmë shifrën e divorceve që është rritur në vendet si Kina. Mirëpo parandalimi i problemeve mund të shpëtojë lidhjet tona.

Empatia është çelsi i çdo lidhje

Couple

Foto: Drobotdean/ Freepik

Edhe në këtë situatë si në secilën situatë tjetër, komunikimi është zgjedhja e secilit problem.
Në këto kohë të vështira flisni hapur për mënyren se si ndiheni.
Tregoni empati për të dashurit tuaj. Kjo natyrisht vlen edhe për të martuarit e ata që kanë fëmijë. Rutinat tona të përditshme janë copëtuar.Përballë këtij realiteti të ri, këshilla e psikologes Zur është që të krijojmë shpejt ndarje të qarta të punës në familje. Të caktojmë detyra midis çifteve dhe fëmijëve. Pa harruar asnjëherë empatinë dhe komunikimin.

 

Thjesht dëgjoni, pa gjykuar

Ju inkuajuam të flisni për ndjenjat tuaja por tani ju inkurajojmë edhe të dëgjoni! Bëhuni të kujdesshëm për personat tuaj të zemrës. Dëgjoni mendimet e tyre. Bëhuni të vëmendshëm për mënyrën se si ata ndihen këto ditë. Kur hapin zemrën te flasin me ju tregohuni të vëmendshëm. Vetëm kështu mund t’i kuptoni më mirë. Më e rëndësishmja sipas psikologës Zur është t’i dëgjoni pa i gjykuar. Ata duhet ta ndiejnë këtë dhe vetëm atëhere do të flasin hapur me ju.

Karantinë brenda karantinës

Love

Foto: Freepik

Të gjithë kemi nevojë për hapësirën tonë personale. Kjo është më vështirë e realizueshme kur një çift është i mbyllur në shtëpi. Aq më pak nëse ka fëmijë. Mirëpo përpiquni të gjeni një hapësirë për vete. Një dhomë apo një ballkon. Ku mund të lexoni ose të dëgjoni muzikë për pak kohë duke qëndruar vet. Ofrojani këtë hapësirë edhe partnerit dhe njerëzve tjerë të afërt. Mos harroni se koha që e kalojmë me të dashurit tonë është e çmuar. Ndoshta, nëse dëgjojmë, mësojmë, qeshim dhe dashurojmë do të jemi në gjendje ta shndërrojmë këtë stres të ri në forcë!