Disa tradita të veçanta të dasmave shqiptare

nga Flogerta Driza

Dasmat shqiptare sigurisht janë origjinale në llojin e vet dhe kanë tradita të veçanta. Çdo vend ka zakonet e veta, kjo nuk diskutohet, megjithatë disa prej tyre janë më të çuditshme se të tjerat.

Dasmat shqiptare kanë disa tradita që nuk kanë ndonjë shpjegim tepër llogjik, por vazhdojnë të përsëriten brez pas brezi. Në këtë artikull do t’ju rreshtojmë disa tradita të veçanta por që janë tipike të kulturës dhe dasmave tona.

Ndarja e burrave nga gratë ditën kur vijnë krushqit

Në momentin që krushqit vijnë për të marrë nusen, rrinë disa orë tek familja e kësaj të fundit për të kryer detyrat dhe nderimet e nevojshme. Gjatë këtij qëndrimi, burrat dhe gratë ndahen në dy dhoma të ndryshme.
kanagjergjNë dhomën e grave i këndohet nuses si dhe krushqit femra i vendosin stoli. Ndërsa në dhomën e burrave pihet alkool dhe bisedohet duke shkëmbyer herë pas here batuta e dolli. Ka raste kur edhe ia marrin këngës dhe brohoritjeve.

Kanagjegji – dita e kënges së nuses

Kanagjegji organizohet nga familja e nuses, një ditë, ose disa ditë para dasmës dhe ndryshe njihet edhe si nata e kangës. Pavarësisht faktit se pas këngëve të gëzimit shndërrohet në natën e vajit. Në kanagjegj, në shtëpinë e nuses mblidhen vajzat dhe gratë e fisit dhe festojnë me të. Në fund të darkës, nusja e ardhshme ulet në një karrige dhe gratë më të mëdha i vendosin në fytyrë një shami e kuqe. Më pas niset e  i këndohen këngë tradicionale, që kanë për qëllim ta bëjnë të qajë. Ndaj quhet edhe ndryshe nata e vajit.

Tradita e shkëmbimit të lekëve

tradita të veçantaZakonisht, ditën e diel kur dhëndri vjen të marrë nusen, ai pritet nga njerëzit e shtëpisë. Një nga të afërmit e nuses, që përherë është një djalë i vogël, nëse nusja nuk ka vëlla mund të jetë kushëri apo nip. Ky i fundit duhet të shkoj të takoj dhëndrin e t’i vendosi shaminë në xhep të xhaketës. Kur i vendos shaminë, dhëndri ka në xhep të xhaketës lek, të cilat i merr fëmija i vogël.

Kur nusja mbërrin në shtëpinë e dhëndrit dhe ulet në dhomën e pritjes, një vajzë e vogël, ose djalë nuk ka rëndësi, kryesisht i zgjedhur nga të afërmit e dhëndrit shkon dhe i heq nuses këpucët. Brenda njërës prej këpucëve ndodhen lek, të cilat sigurisht i merr fëmija i vogël. Shkëmbimi i lekëve bëhet me qëllim sjelljen e begatisë nga lidhja e martesës për të dy krahët.

Djegia e shamisë së beqarit

shamia e beqariseDjegia e shamisë së beqarit është një traditë shumë e njohur në të gjithë vendin dhe madje pritet me tepër ekzaltim nga shokët e dhëndrit. Në fund të festimeve, dhëndrit i jepet në dorë një shami nga njëri prej shokëve të tij me të mirë. Shamija lyhet zakonisht me raki dhe i vihet flaka.

Në këtë pikë dhëndri duhet të kërcejë, duke tundur shaminë e përflakur. Ndërkohë që kërcen, shamija duhet të valëvotet për të qëndruar sa më shumë e ndezur, kjo sepse tregon dhe shënjon forcën e dhëndrit përvecse fundit të beqarisë.
Ka edhe shumë tradita të tjera, disa prej të cilave u ka humbur origjina dhe arsyeja se përse bëhen, megjithatë vazhdojnë të përsëriten. Nëse doni mund të na tregoni edhe ju disa tradita të tjera të cilat janë tipike të kulturës sonë të dasmave.

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓