Djali me Patina i Tiranës

nga Flogerta Driza

Më quajnë Artur, ose ndryshe Djali me Patina i Tiranës. Gjithmonë më kanë bërë kurioz gjërat e veçanta. Nuk më kanë tërhequr kurrë ato që bëjnë gjithë të tjerët.

Nuk më pëlqejnë makinat, as motorrët, madje edhe biçikletat i përdor rrallë, për të mos thënë asnjëherë. Pasioni im janë patinat. Edhe pse ditën e kam të ngarkuar, ku më duhet të bëj shumë gjëra njëkohësisht, marëdhënia me pasionin tim është komplekse por e pandërprerë.

Patinat i kam mësuar që 7 vjeç

Më mjaftoi veç një ditë t’i mësoja dhe që nga ai moment nuk jam ndarë prej tyre. Ndërkohë që miqt e mij, duke u rritur u shkëputën nga lojërat e tyre, unë veprova ndryshe. Femija që ndodhet brenda meje ende qesh e lumturohet sa herë patinoj. Njihem ndryshe si “Djali me Patina i Tiranës.” Duket si sport fëminor, por unë nuk e mendoj kështu. E di, shpesh përplasem me shikime të çuditshme nga njerëzit. Këto shikime dhe talljet nga të tjerët i kam lënë gjithnjë pas krahëve të mia.

Disa herë kam tentuar t’i lë 

Kam patur edhe unë momente dobësie. Disa herë e kam lënë patinimin. Më vjen për të qeshur sepse duket them “Kam lënë cigaren” apo “Kam lënë kafen”. Por, ashtu siç dikush fiksohet pas një vesi po ashtu jam i fiksuar edhe unë pas patinimit.

Herën e parë që i lash patinat, ndodhi sepse kushërira ime i mori pa leje. Meqë nuk dinte të luante, ra dhe theu krahun. Familja ime ka qenë gjithnjë kundra, ndaj si ndërshkim për çka ndodhi i hodhi patinat e mia të para në plehra. Mu desh kohë dhe mund për t’i blerë sërish.

Herën e dytë që i lash isha në shkollë të mesme. Asnjë nga miqt e mij nuk përdorte patinat. Më dukej vetja i veçuar. E pata dhe unë momentin e dobësisë kur doja të isha si gjithë të tjerët. Ama ia nisa avazit përsëri. Patinat më tërheqin siç më tërheq graviteti. Është diçka që s’mund ta shmang.

Herën e fundit, kur nisa universitetin për shkenca kompjuterike, tentova ta lë patinimin me idenë se u rrita. Por pasioni im ishte më i fortë se unë. Kur nisa punën njëkohësisht me shkollën, koha mu kufizua tmerrësisht. Ama, nuk lejova që pasioni im të kalonte në plan dytësor. E di se shpesh ekziston dyshimi apo demoralizimi se nuk i bën dot të gjitha. Edhe pse kjo për mua është stërmundim, nuk dua të dorëzohem. Nuk dua të bie preh e kësaj kategorie. Nuk janë privilegjet ato që më kanë mundësuar të ndjek pasionin tim. Jo! Është dëshira për atë çka unë kam brenda në shpirt. Dëshira për të ecur shpejt, për të vrapuar, për të qën i lirë. Dëshira për ta mposhtur gravitetin me vet këmbët e mia.

Përse të heq dorë?

A mos vallë heqin dorë njerëzit nga veset e tyre?! Jo!! Atëhere përse të heq dorë nga diçka që më bën veç mirë? Përse duhet të heqin dorë njerëzit nga pasionet e tyre në fund të fundit? Nuk me duket e drejtë! Në një botë që të shkurajon të mbash gjallë fëmijën brenda teje; në një botë që do të shkrihesh njësh me ta për mos të ngjallur frikë e dyshime sepse je ndryshe – Ji Vetvetja! Ji personi që ndjek pasionin e tij. Nëse nuk ke kohë, bëje pasionin pjesë të përditshmërisë tende dhe pasioni do të të ndjekë ty. 

Djali me patina : Artur Havalja @arty_hi 

Foto nga : @detaixi

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓