Femrat shqiptare që kanë lënë gjurmë në historinë tonë!

nga Flogerta Driza

Femrat shqiptare rikujtohen rrallë herë në historinë e vendit tonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi patur femra historike. Sot në rubrikën e kulturës dëshirojmë të rikujtojmë gjurmët që ajo ka lënë në historinë e tonë.

Nga Kleopatra e deri tek Marie Curie, nga Meryl Streep e deri tek Inva Mula. Legjenda të artit dhe të kulturës, shkencës dhe strategjisë luftarake, politikës dhe aerodinamikës, femrat sado në disavantazh kanë treguar se u është dashur të luftojnë 5-fish më shumë se burrat për të lënë pas emrin e tyre në histori.

Edhe pse një vend i vogël, ne kemi nxjerrë nga djepi jonë femra të forta, guximtare, inteligjente dhe mbi të gjitha të pamposhtura pavarësisht rrethanave. Ndaj sot risjellim në kujtesën tonë 5 femrat shqiptare më legjendare të historisë tonë si popull.

Elena Gjika, aktivistja e Rilindjes Europiane

femrat shqiptare

Dora D’Istra (Elena Gjika)

Elena ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare.
Ajo mbante pseudonimin Dora D’Istria, sepse atëherë ishte e vështirë që të pranohej roli i gruas në letërsi, politikë, drejtësi, diplomaci dhe profesione që ishin pronë e mendjeve mashkullore. 

Elena Gjika u quajt në ato kohë Princesha e Kulturës Evropiane. Ajo nuk ishte rasti i parë në kontinent i gruas së emancipuar.
Në Europë, asokohë kishte mjaft femra të kulturuara, por shumë pak arritën të ngjallnin respektin e botës mashkullore dhe Dora ishte njëra prej tyre. 

Lejla Rasih Dino: Fisnikja nga Çamëria

femrat shqiptare

Woodrow Wilson dhe gruaja e tij

Lejla Rasih Dino, një diplomate e sprovuar, në emër të grave shqiptare iu drejtua autoriteteve botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të vitit 1913.
Ishte femra e parë shqiptare që i foli me kurajo në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare.

Ajo iu drejtua personalitetit më në zë të politikës botërore, Woodrow Wilson dhe fitoi simpatinë e ti dhe të bashkëshortes. Luftoi për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. 

Lejla Dino krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919 dhe theksoi se SHBA ishte miku më i madh i Shqipërisë. Dhe realisht fjalët e saj qëndrojnë të vërteta edhe sot e kësaj dite.

Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi

Parashqevi Qiriazi

Sevasti Qiriazi

Motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi duhet të nderohen, sidomos sepse hapën shkollën e parë shqipe të vashave në vitin 1892.

Edhe pse nën presionin e rreptë të kishës greke për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, ato nuk u dorëzuan. Ndalimi i zhvillimit të arsimit, që forconte kombin shqiptar, ishte një teknikë e vjetër e asimiluesëve të popullit shqiptar. Femra të tilla si Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi ishin mëmat e gjuhës shqipe të asaj kohe, dhe ashtu si mbrohet një fëmijë ashtu mbrojtën edhe ato gjuhën shqipe.

Janica Martinaj, Zhan d’Ark shqiptare

femrat shqiptare

Janica Martinaj

Gazeta New York Times, më 25 maj të vitit 1911 dhe Gazeta franceze ‘Le Petit Journal’, më 28 maj të vitit 1911 shkruanin: “Beteja e Vraninës – një Zhan d’Ark shqiptare.”

Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër, u shqua një vajzë e re dhe e bukur, Janica Martinaj. Ajo zuri vendin e babait të saj të vrarë dhe udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Beteja la mbresa të mëdha në mediat e huaja europian, por edhe la shenjë në historinë e popullit tonë.

Vajza u pasqyrua në mediat e huaja si “Zhan d’Ark shqiptare”. Vetëm 22 vjeçe ajo nxiti interesin e shumë mediave ndërkombëtare. Asokohe madje, New York Times shkruan për të dhe publikon artikullin në lidhje me rracën shqiptare, duke e cilësuar si një nga rracat më të bukura të Europës.

Shote Galica: Heroina e popullit

femrat shqiptare

Azem dhe Shote Galica

Atë njohim të gjithë, sepse jehona e saj nuk është shuar as sot e kësaj dite. Lindi në Drenicë, Vilajeti i Kosovës, në vitin 1895. Një luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. 

Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Nga masakrat e shovenistëve serbë, ajo humbi 22 anëtarë të familjes. Në vitin 1927, ajo u vendos në Shqipëri, në Fushë Krujë, ku po atë vit u nda nga jeta. Nderohet edhe sot e kësaj dite me titullin e lartë “Heroinë e popullit”.

Përmes këtyre femrave duam të rikujtojmë rrugëtimin e gruas shqiptare për emancipim. Secilës nga femrat shqiptare të historisë sonë u jemi falenderuese për shembullin dhe kontributin e tyre!

dua Marketplace banner