Forca e së zakonshmes!

nga Flogerta Driza
Gjithçka nisi kur isha në Universitet, ku pavarësisht synimit për të marrë diplomën, gjërat e tjera më dukeshin të kota. Nisa të lexoj shumë e po aq shumë të angazhohesha me punë. Nuk doja që mendimet të më zinin frymën. Por, sa më shumë i shtyja pas në kokë këto mendime, aq me keq ishte. Ndaj, një ditë si çdo ditë tjetër, i kushtova vetes një moment ku unë të isha spektatorja dhe jo protagonistja e jetës sime. 
Më pëlqen të zgjohem herët. Në orën 07:30 të mëngjesit më ke aty, në kafene, ku ende nuk kanë shkelur klientët e saj të përhershëm. Ulem dhe porosis kafen e parë për ditën. Nuk dua shpërqëndrime ndaj e heq telefonin dhe e fus në çantë. Në ato momente më duket njësoj sikur shoh një film në kinema, vetëm se jam përballë teatrit të përditshmërisë njerëzore. Sa nga ne e urrejnë monotoninë e megjithatë është i vetmi moment i paqtë që kemi.  
Si përherë, pas meje vijnë këto personazhe, të cilët edhe ata kane rutinën e tyre. Nje zotëri zgjedh të ulet gjithnjë në cep të kafenesë, porosit kafen e vet dhe mban nën sqetull gazetën sportive. Si çdo ditë ulet, hap gazetën dhe lexon. Një vajzë bjonde, flokë kaçurrelëse, vjen në kafene pak si me vonesë dhe përherë e shoh të lyer e të rregulluar. Nuk ka asnjë të metë dhe çdo gjë duket sikur i ka të pikturuara në trup e jo të veshura. Një tjerët personazh, po ashtu një vazjë, ulet në të njëjtin vend si unë. Pi kafen e saj fredo dhe e shoqëron më pas me tre cigare.
Gjithnjë pyes veten: “Zotëria që lexon gazetën sportive, a nuk lodhet që lexon çdo ditë vetëm një lloj gazete?
Vajza bjonde dhe kacurrelëse që lyhet – a nuk ka një ditë dembele, kur i thotë vetes “Sot nuk jam në humor”?
Apo vajza tjetër, që gjithmonë në këto pesë vjet, tymos vetëm ato tre cigare dhe pi kafen e saj fredo me po tre gllënjka. A mos vallë nuk mund të pijë një cigare më shumë apo më pak?”
Vëzhgoj stafin dhe hyrjet e daljet e kafesë. Njerëz që vijnë përherë dhe ata që vijnë për herë të parë. Njerëz që nuk dalin nga rutina e tyre dhe njerëz për të cilët rutina është gati gati mallkim. E po aty, në atë skenë të përditshme të jetës njerëzore, qëndroj unë. Me një rutinë timen, si secili nga personazhet që shoh dhe në heshtje shijoj kafen në prezencën e tyre. Mbushur me biseda të heshtura dhe copëza të vetmisë njerëzore. 
Kjo rutinë më jep një motiv të çuditshëm ekzistencial, pavarësisht se sa e kotë dhe e pakuptimtë më duket jeta ndonjëherë. Shpesh e lodhur dhe e mbingarkuar me angazhime, mes mendimeve të shumta që kam them: “Njeriu është qënie që e do ndryshimin dhe evolimin, por në thelb frikësohet kur gjërat i dalin jashtë rutinës mbërthyese por ama të domosdoshme.” Kjo rutinë më fal paqen e mendimeve të mia, të cilave u lë pjesën tjetër të ditës me punën, jetën dhe përkushtimet e tjera. Por e di se ky moment më përket mua!
Rrëfeu Nilkë Rama.
Shkruar nga: Flogerta Driza

Artikuj të ngjashëm