Heronjtë e COVID19 – Ja kush janë dhe çfarë thonë ata

nga Argjenda Selmani

Në kohën e krizva shoqërore, ekonomike e shëndetësore si kjo e COVID19, që njihet si koronavirus, janë disa profesione të cilat meritojnë t’i duartokisim pa fund. Të parët që meritojnë falenderim tani kur po përballemi me COVID19 pa dyshim janë mantelbardhët. Mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë te frontit.

Pastaj pas tyre vijnë edhe policët që ruajnë rendin dhe ligjin në këto kohë të vështira. Gazetarët që na rapotojnë për gjithë këto zhvillime rreth koronavirusit. Prodhuesit e bukës, shoferët dhe shitësit që punojnë përderisa në të tjerët jemi duke punuar në shtëpi. Këto ditë në kemi biseduar me disa prej tyre. Ja çfarë thonë ata:

‘Puna jonë s’është sakrificë, është obligim’

nurseLaura Kadriu – Berisha punon infermiere në një nga qendrat mjekësore të Komunës së Prishtinës. Këto ditë ajo po mban një ndërrim 12 orësh nga ora 07:00-19:00.  Çdo mëngjes kur mbyll derën e shtëpisë së saj në lagjen ‘Velania’ ajo lë pas bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ditën ua dedikon pacientëve.

“Padyshim që nuk janë ditë të lehta. Megjithatë, përpiqem ta nis secilën ditë më optimizëm.
Kujdesem së pari për vetën, në mënyrë që të jem në gjendje t’ju shërbejë pacientëve dhe mos ta
çoj virusin në shtëpi tek fëmijët”, thotë Laura.

Angazhimin gjatë këtyre ditëve ajo nuk e sheh si sakrificë. Vetëm si detyrë që i ka dhënë vetës prej që vendosi të studioi infermierinë. “Qëndroni brenda dhe lani duartë shpesh. Kujdesuni për vetën, kështu do të na ndihmoni edhe neve. Do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, thekson si përfundim ajo.

‘Do të doja të shihja sa më pak makina në rrugë’

drivingFehmi Berisha është shofer kamioni. Ai punon si furnizues dhe shofer në njërën nga kompanitë më të mëdha të furnizimin me produkte ushqimore në vend.

Për dallim prej shumicës së njerëve që këto ditë janë izloluar, ai po punon. Kërkohet prej punës së tij që të jetë në pika të ndryshme të Kosovës gjatë ditës për të furniziuar marketet. “Unë po përpiqem të mbrohem.  Të kujdesem. Si për vetën ashtu edhe për familjen. Këto ditë do të doja të shihja më pak makina nëpër rrugët e Kosovës. Vetëm ato të domosdoshmet”, thotë Fehmiu.

Më tej ai thekson se ka frikë qe s’po e marrim aq seriozisht sa duhet këtë virus. Megjithatë, ai mbetet me shpresë se kjo situatë do të përfundojë shpejt dhe që të gjithë do t’i kthehemi normalitetit.

‘Më trishton frika që e shoh në sytë e njerëzve’

marketVesa Brahimi punon si shitëse në një  nga rrjetet e marketeve në Prishtinë.
Këto javë që po lëmë pas profesioni i saj ka qenë një nga më të palakmueshmit. Kjo për shkak se Vesa dhe të gjithë shitësit e tjerë vazhdimisht po i ekspohen rrezikut.

Për 20 vjeçaren kjo është një situatë e papërjetuar më parë.  “Ka tri javë që kemi fluks të madh njerëzish. Ky fluks është shtuar shumë dy javët e fundit. Njerëzit po furnizohen për javë të tëra”, thotë Vesa.
Pastaj ajo tregon se secili konsumator kërkon të blej miell. E mielli ka disa ditë që mungon në raftet e dyqaneve.

“Më trishton frika që shoh në sytë e njerëzve. Shumë prej tyre na pyesin se a po furnizohemi vazhdimisht”, tregon Vesa.  Për ta mbyllur edhe porosia e saj është të rrimë brenda dhe të kujdesemi për veten.