I themi molto apo 7days? Si ka ndikuar marketingu në gjuhën shqipe?

nga Flogerta Driza

A mendoni se marketingu mund të thellojë dallimet brenda një gjuhe? Ne themi se po.
Kur mendojmë për dallimet gjuhësore mes krahinave, për shembull midis Kosovës dhe Shqipërisë, shpesh fajësojmë largësinë si shkaktarin kryesor. Mirëpo, a keni menduar ndonjëherë se mund të ketë ndonjë arsye tjetër më specifike?
Na lejoni t’jua shpjegojmë.

Gjuha është përbërësi themelor i një kulture. Megjithatë, edhe pse ne flasim shqip si Kosova dhe Shqipëria, ka disa gjëra që nuk i identifikojmë njësoj. Këto të fundit më vonë sjellin shumë keqkuptimeve të lezetshme mes nesh, dhe herë të tjera jo dhe aq të lezetshme.
Këtu ju kemi sjellë disa shembuj shumë interesantë, ku në fakt marketingu apo tregtia është ajo që ka ndikuar në dallimin gjuhësor midis Kosovës dhe Shqipërisë. Po, po e dëgjuat mirë! Marketingu.

Facoleta – Palloma

Kur shkova për herë të parë në Prishtinë, më kujtohet se u ndala në një dyqan për të blerë një pako facoleta. Kur e kërkova specifikisht me këtë emër, shitësi më pa me habi, megjithatë tha: “Duhet të ketë nëpër rafte.”

Produkti ndodhej mu para syve, prandaj zgjata dorën për ta marrë. Ai u kthye duke qeshur: “Oh po, palloma, 15 cent të lutem.” U përshëndetëm duke qeshur e duke i thënë njëri-tjetrit se si i themi ne nga anët tona.

Në të vërtetë nuk kemi pse t’i themi ndryshe, në shqip fjala e duhur është shami ose pecetë. Mirëpo, tek ne ka ndikuar marka e parë e produktit që ka ardhur në Shqipëri pas rënies së diktaturës.

Fazzoletti – facoleta është në të vërtetë një produkt i vjetër Italian. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri si diçka e re u identifikua automatikisht me këtë emër. Që prej asaj dite të gjitha llojet e pecetave të duarve apo të hundëve ne i quajmë facoleta, facoleta kuzhine, facoleta hundësh etj

E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, ku palloma është një produkt i vjetër gati 300 vjeçar i tregtuar nga Sllovenia. Ajo që është edhe më tërheqëse është fakti se si gjuha shqipe ka ndryshuar prej tregtisë. A nuk tregon kjo se sa forcë të padiskutueshme ka marketingu mbi ne?

Më poshtë do t’ju radhisim shkurtimisht disa shembuj të tjerë tepër interesantë që kur t’i lexoni do thoni: “Oh, po!! Se dija se quhej kështu!”

Molto – 7days

Emërtimi i saktë në gjuhën shqipe duhet të ishte kroesant, që vjen nga frengjishtja dhe është emërtimi i duhur i këtij produkti të veçantë. 
Mirëpo, tek ne, sipas zonave secila ka emërtim ndryshe.

Molto – Chipita është emri i brandit të një kompanie 20 vjeçare, që tregton në Greqi, Shqipëri dhe 56 shtete të tjera.
Kësaj i them unë forcë marketingu! Sa herë që i drejtohemi dyqaneve nuk themi “Na jep një kroesant, por na jep një molto.” Interesante apo jo?!
Ndërsa, 7days është po ashtu pjesë e kompanisë greke Chipita.
Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë është tregtuar tjetër produkt, i cili po ashtu mund të quhej thjesht kroesant. 

Çibuk-Shtapiq

Çibuku ose çubuku siç quhet realisht emri i brendit. Këto të fundit janë në të vërtet thjesht shkopinj me erëza. 
Megjithatë s’mund t’i quanim ashtu apo jo? Çubuku është emri që kompania turke 75 vjeçare i ka dhënë këtyre shkopinjve me erëza që ne i preferojmë kaq shumë.

Ndërsa, në Kosovë njihen si shtapiq dhe siç mund ta dini tashmë vjen prej tregtisë së Kosovës me Kroacinë.
Stapici në të vërtetë është emërtim dytësor që vjen nga kompania gjigande ushqimore e vjetër gati 115 vjeçare e Kroacisë, Koestlin. Në fakt të dyja si produkte janë të preferuara në vendin përkatës, dhe kjo ka qënë një arsye tjetër keqkuptimi midis meje dhe prishtinalive.
Pavarësisht keqkuptimeve, këto ndryshime janë pritur buzagaz nga secili prej nesh.

Kolinos – Kollodont

Nje tjetër rast po kaq interesant është mënyra se si ne emërtojmë ndryshe pastat e dhëmbëve.
Në Shqipëri quhet kolinos, ndërsa në Kosovë kollodont dhe secila ka historinë e vet.
Kolinos ka qënë dikur kompania e vjetër 112 vjeçare për higjenën orale me vendodhje në Amerikën Latine.

Do pyesni veten, po në Shqipëri si mbërriti? Sigurisht, Kolinos quhej kompania deri më 1995, por më pas iu ndërrua emri në Colgate&Palmolive. Mallrat e saj kanë ardhur direkt nga Italia, ku kemi patur shkëmbimet më të mëdha tregtare në atë periudhë. Kështu emri i ngeli kolinos pavarësisht se si ndryshoi më vonë emri i kompanisë.

Në Kosovë pasta e dhëmbëve njihet me emrin kollodont. Në fakt, emri i vërtetë i produktit është Kalodont, një kompani gati 133 vjeçare me vendodhje në Vjenë. Kosova njihet për tregti gati njëqind vjeçare me vendet e tjera të Europës, edhe atëhere kur Shqipëria i ka patur kufijt e mbyllur.

Bebelino – Pampers

Emërtimi i saktë në shqip duhet të ishte pelena. Edhe këto kanë historinë përkatese, për sot mjafton me kaq. Herës tjetër, kur mendoni për dallimin gjuhësor Kosovë – Shqipëri, mos u nisni nga dialekti apo gjeografia.

Mendoni për faktin se si këto dy vende edhe pse nga një rrënjë e vetme kanë patur ecuri ndryshe nga njëra-tjetra. Ku tregtia, marketingu, kufijt e hapur të njërës dhe të mbyllur të tjetrës kanë formësuar gjuhën që ne flasim sot.

Rrënja e gjuhës sonë është shqipja. Dëgët e saj janë deformuar e shpesh herë edhe shartuar e ndikuar drejtpërdrejtë nga gjuhë të tjera me të cilat këmi patur marëdhënie të drejtëpërdrejta tregtare.

Pavarësisht ecurive të ndryshme historike, e rëndësishme është të kuptojmë se flasim shqip dhe se është pikërisht gjuha emëruesi ynë i përbashkët, i cili duhet të ruhet me fanatizëm nga të dyja palët.

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓