Vetizolimi nuk ndal njerëzit – ballkonet kthehen në vendtakim

nga Flogerta Driza

Tashmë po jetojmë një realitet që nuk mendonim kurrë se do ndodhte. Megjithatë, ja tek jemi, ngecur në shtëpi ku ballkonet tashmë janë kthyer në vendtakimet tona.

E gjithë bota zien në luftë kundër një armiku të padukshëm. Dëmet ekonomike që ky virus do të lërë pas do jenë të pallogaritshme. Por, për momentin prioritet është diçka tjetër. Ndalimi i shpërndarjes së koronavirusit dhe ulja e numrit të viktimave.

Pjesa më e madhe e botës tashmë është në karantinë. Italia është një nga shtetet me goditjen më të madhe, por është pikërisht në këto momente që del në pah forca njerëzore. Që prej të hënës së kaluar edhe Shqipëria bën plot 7 ditë në vetizolim. Mbyllja në shtëpi, edhe pse me të gjitha kushtet, është e vështirë për tu përballuar.

Ballkonet janë kthyer në vendatikimin tonë

Italianët kanë vendosur që për të shtyrë sa më shumë këto ditë të vështira, të dalin ballkoneve e të këndojnë. Ti japin kurajo njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha t’i bëjnë më të lehta ditët mbyllur në karantinë.

Shqipëria i bashkohet festës në ballkon

Dy ditë më parë dolën nëpër ballkonet tona duke duartrokitur. Ia kushtuam duartrokitjet e ngrohta mjekëve dhe infermiereve vullnetare dhe atyre që kanë qëndruar në gadishmëri që prej ditës 1. Dhe të shtunën, ku shumica prej nesh do e kishin mbushur sheshin e kryeqytetit dhe liqenin, për festën e ditës së verës, qëndruam brenda. 

Ishte vërtet e trishtueshme, dita ishte më e bukur se kurrë, dhe nuk arritëm këtë herë që ta mirëprisnim ashtu si zakoni e dikton. Tashmë që prej të premtes, shumë dalin nëpër ballkone, vendosin muzikë dhe dëgjojnë. Disa duartrokasin e shumë fëmij qeshin nga ballkonet e tyre. Ndërsa qëndra e Tiranës vazhdon po aq e vetmuar.

Fundja ne jemi qënie sociale, dhe karantinimi apo vetëburgosja në shëpi, mund të jetë gjëja më e vështirë që mund të kemi bërë. Jemi pozitivë, ashtu si e gjithë bota se kjo do kalojë. Do t’i kujtojmë këto ditë si një kujtim i largët ankthi dhe stresi, por edhe si ditët kur daljet në ballkon ishin më të bukura se kurrë.