Katër ditë të mbyllur në Klinë, kjo është atmosfera atje

nga Argjenda Selmani

Shumë qytetarë të Klinës që punojnë jashtë saj këtë javë nuk kanë dal nga qyteti i tyre. Klina është një nga dy qytetet e para të shpallura karantinë në Kosovë.  

Aty u identifikua një nga dy të infektuarit e parë me Koronavius në Kosovë. Me urdhër të qeverisë hyrjet dhe daljet nga Klina janë të ndaluar që nga e premtja. E për blogun tonë një qytetar i këtij vendi tregon se si po zhvillohet jeta në Klinën e karantinuar.

Karantinimi i Klinës ja u pa mundëson ardhjen në punë në Prishtinë 

KlinaAlbert Deda udhëtoi nga Prishtina për në shtëpinë e prindërve të tij në Klinë të premten pas përfundimit të orarit të punës. Deri sa ishte në zyrë në Prishtinë, ku edhe jeton, e mori lajmin se një i infektuar me Koronavirus vjen nga qyteti i tij. Megjithatë si çdo fundjavë tjetër, u nis ta kalonte pushimin e javës pranë prindërve.
E për dallim nga e javët tjera, këtë të hënën ai nuk u kthye në Prishtinë për të vazhduar punën. Qyteti i tij i lindjes këtë të martë është në ditën e katërt të karantinës.  Alberti dhe të tjerët nuk mund të dalin nga Klina.

Mirëpo si po i bën të ndihen kjo gjë banorët e Klinës? Më së miri na tregon ai vet!

“Jo vetëm unë, por e gjithë jeta e banorëve po vazhdon vetëm brenda mureve të shtëpisë, me lëvizje shumë të rralla nëpër Klinë. Rrimë brenda. Tërë kohën na kërkohet të mos dalim pa nevojë. Secili biznes përveç furrave dhe marketeve është i mbyllur”, tregon Deda.  Tutje  Alberti thotë se edhe për banorët e Klinës si për të gjithë të tjerët, kjo gjendje është një risi.

E diela pa shkuarje në kishë

Kisha

Foto: Famullia “Zonja e Këshillit të Mirë”

Ndonëse banorët e Klinës po përpiqen që jetën ta vazhdojnë sa më normalisht, karantina padyshim se po i kufizon.
“Nuk e mbaj mend qe ndonjëherë prindërit e mi të mos kenë shkuar në meshë të dielën. Këtë javë ajo u mbajt pa praninë e njerëzve.
Natyrisht se prindërit qëndruan me ne në shtëpi. Ne po ju përmbahemi rregullave dhe po shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, thotë Alberti.
Ai po përpiqet që rutinën e tij të punës ta vazhdojë nga shtëpia.  Thotë se me vetdëshirë u kthye të premten në Klinë për të qenë afër familjes në këto kohë të trazuara.

Mirëpo si do ta përballojë Klina karantinën nëse ajo zgjatë shumë?


KlinaNga pikpamja e tij personale Alberti thotë se padyshim që nuk do t’i pelqente që karantina të zgjaste.  Arsyet për këtë janë të shumta.
“Edhe në Klinë si në gjithë botën, shumë aktivitete janë pezulluar. Bizneset nuk po punojnë. Nuk e di njerëzit a do të paguhen për këto ditë pushimi. Të gjithë janë pak konfuzë dhe pak të frikësuar”, thotë ai. Tutje Alberti shton se do të donte që shpejt gjithçka t’i kthehet normalitetit dhe ai punës e jetës në kryeqytet. Teorikisht e di që ndoshta për këtë do na duhet të presim shumë javë. Mirëpo më mirë t’ju përmbahemi rregullave dhe të shpresojmë për më të mirën”, përfundon kështu ai. Për fund, qytetari nga Klina thotë se shpreson që pushteti qendror të kujdeset që nëse kjo gjendje zgjatë gjërat elemetare të mos mungojnë në Klinë.