Nëse je muzikant nga Kosova, ke fatin të shkosh në LA!

nga Flogerta Driza

Nëse je muzikant nga Kosova midis moshës 13 dhe 17 vjeç, atëhere lexoni këtë artikull. Kur besoni se keni një mundësi karriere në industrinë e muzikës jemi të sigurt se është diçka për të cilën ëndërroni çdo ditë.

Ja si mund të aplikoni

Ne do t’ju sugjeronim përzemërsisht të aplikoni me patjetër tek Instituti për Art dhe Inovacion (OCS Institute of Art and Innovation) në Los Angeles. Në këtë mënyrë do të keni mundësinë që të kaloni një muaj në një nga institucionet më prestigjioze të muzikës botërore. Kush është ai muzikant 17 vjeçar që nuk e ëndërron diçka të tillë?!

Mund të jeni një nga tre fatlumët e përzgjedhur nga fondacioni “Sunny Hill”, që është nën menaxhimin e njërës prej shqiptareve me të suksesshme në botë, Dua Lipa. Për më shumë informacion në lidhje me këtë mundësi të artë, vizitoni faqen zyrtare të festivalit “Sunny Hill” në internet. Keni afat deri më 20 janar. Nxitoni!

Fondacioni ka njoftuar se nëse shkruani këngë origjinale ose këndoni këngë të artistëve të tjerë, mund të shkoni në LA qysh në shkurt të vitit 2020. Talentet e reja do të zgjidhen nga Alyssa Lein Smith (Quincy Jones Productions), Ulla Sjöström (Musikmakarna) dhe Mary Kay Altizer (OCS Institute of Art and Innovation)

Çfarë ju pret po fituat?

Do të kaloni një muaj në Los Angeles. Dy javë do të shkoni me punë intelektuale në Institutin e ri të OCS-së. Dy javët e tjera në kryeqytetin më argëtues të botës, Hollywood. Këto do të organizohen nga Gëzim Gashi i cili do të jetë mentori dhe kujdestari ligjor për tre fituesit. Ju urojmë fat!