Koronavirus në Shqipëri – A po jetojmë të ardhme distopike?

nga Flogerta Driza

Pas shpërthimit të koronavirusit edhe në Shqipëri, sot më shumë se kurrë na kërkohet të qëndrojmë në shtëpi. E ardhmja distopike është këtu. Mbrëmjen e djeshme dëgjonim thirrjen e lëshuar nga bashkia e Tiranës, e cila vazhdimisht shpërndante këtë mesazh: 

“Të dashur qytetar, qëndroni në shtëpi. Evitoni vendet me shumë njerëz. Lani duart sa më shpesh. Në rast nevoje telefononi numrin 127. Ju faleminderit!”

Nëse kjo nuk ju jep ndjesinë sikur po jetoni në një të ardhme distopike atëhere nuk di se çfarë tjetër mund ta bëjë këtë gjë.

Askush nuk është imun nga frika!

 Në këto momente ajo që na kërkohet është e thjeshtë, të ruajmë qetësinë, të mbajmë higjenën personale dhe të qëndrojmë në shtëpi.

Ndërkohë që në Tiranë janë mbyllur të gjitha institucionet shtetërore, postat, zyrat bashkiake, lokalet, baret, restorantet, janë anulluar edhe çdo aktivitet kulturor përgatitur për 14 Marsin. Ka rënë një qetësi e çuditshme, e megjithatë ka nga ata që ende e presin me skepiticizëm këtë gjëndje. 

Moshat më të prekura janë mosha e tretë

Pensionistëve u kërkohet specifikisht të qëndrojnë brenda, por dje i pash në vendin e tyre të zakonshëm. Duke pirë kafen e duke luajtur domino. A thua nuk i druhen më vdekjes? 

Kërkohet që të mos kollitesh pa maskë ose të pështysh në rrugë, e megjithatë ata pak që kishin dalë në rrugë, sepse nuk i druhen një palo virusi, bënin pikërisht këtë gjë. Privati vazhdon punën normalisht duke vendosur një distancë prej 2 metrash nga çdo punëtor. Por, a është e mjaftueshme kjo gjë?

Qëndroni në shtëpi! Qëndroni në shtëpi! Qëndroni në shtëpi! 

Në këtë mes, dikur e konsideronim fat po të na thoshnin merrni ca ditë pushim nga puna, megjithatë sot që kërkohet gjithnjë e më shumë ne rebelohemi. Pse ndodh kjo? Po vendosen gjoba nga qeveria dhe po shpërndahen alarme mediatike nga të gjithë personazhet e ekranit të vogël. Janë mbullyr të gjitha.

Autobusët dhe trasporti publik është anulluar përkohësisht, ku lejohen vetëm makinat personale pa kontakt publik dhe biçikletat, megjithëse druhem se shumë shpejt do bllokohen edhe ato. Mbyllur janë edhe palestrat, qëndrat e lojërave apo parqet, përveç furrave të bukës, farmacive dhe supermarketeve kryesore në çdo lagje.

Çfarë presim më tepër për të besuar se gjithë këto masa parandalimi merren, sepse nuk kemi kapacitet për ta përballuar këtë Pandemi Botërore. Jo për tu panikosur, por më tepër për tu dhënë kohë shkencëtarëve për të gjetur një kurë.

Masat sa po vijnë e po shtrëngohen nga qeveria, por nëse duam ta kalojmë paq këtë situatë duhet të ndërgjegjsohemi e të mos ndjekim shembullin Italian. Kujdesuni për veten! Qëndroni në shtëpi! 

Nga një e ardhme distopike, Tiranë 2020.