Kuptimet e fjalës ‘shpirt’ që ne e përdorim për të dashurit 

nga Argjenda Selmani

Kushedi sa herë gjatës ditës i drejtoheni me fjalën shpirt  të dashurit apo të dashurës tuaj! Shpirt është një nga nofkat më të shpeshta që përdoret mes të dashuruarve.

Mirëpo a ia dini të gjitha domethëniet kësaj fjale të bukur shqipe? Nëse lexoni këtë artikull deri në fund ju mund të mësoni shumë kuptime interesante që fjala shpirt ngërthen në vete! Ato janë:

Tërësia e ndjenjave dhe e përjetimeve 

Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala shpirt përkufizon botën e brendshme të njeriut. Tërësinë e vetive të tij psikike. Tërësinë e ndjenjave dhe e përjetimeve të tij. Pra, shpirt është vetëdija a ndërgjegjja e njeriut, ose bota e tij mendore.

Qenia më e shtrenjtë

Kur dikujt i themi shpirt i kemi thënë qenia më e shtrenjtë. Njeriu më i çmuar për ne. Shpirt është njeriu shumë i afërt e i dashur i zemrës.

Thelbi i diçkaje

Sipas gjuhes shqipe, është gjëja më e qenësishme, thelbi i diçkaje. Forca kryesore frymëzuese a lëvizëse në një punë, në një veprimtari, shtylla e një pune a e një veprimtarie. Është shpirti ai që frymëzon, organizon e udhëheq një grup njerëzish; njeriu më i dashur në një grup a në një rreth  njerëzish.

Faktori kryesor

Sipas filozofisë, shpirti është element jomaterial, i cili gjoja është faktori kryesor që i paraprin çdo qenieje dhe e përcakton atë apo që i kundërvihet materies dhe njëjtësohet me zotin.

Element hyjnor

Sipas religjoneve të ndryshme, shpirti është element jo material te njeriu që ka prejardhje hyjnore e është i pavdekshëm. Sipas feve ai i jep njeriut jetën, e dallon atë nga kafshët dhe e lidh me zotin. 
 

dua Marketplace banner