Liqeni i Kuqishtës, perla e Rugovës

nga Argjenda Selmani

Kur mali dhe uji takohen japin reflektimin më të mirë të natyrës edhe në malet e Rugovës. Në lartësi mbi 2.000 metra në malet e Rugovës ndodhet sipër Liqeni i Madh i Kuqishtës.

I rrethuar me male të larta dhe shkëmbinjë, ky liqen mahnit me bukuritë e tij. Për ta shijuar bukurinë e tij ju duhet të ecni nëpër një shteg të gjatë. Mirëpo e gjithë lodhja ja vlen! Sidomos kur mbërrini në pikën në të cilën liqeni ju shfaqet si në pëllëmb të dorës.

2,341 metra mbi Kuqishtë ndodhet kjo mrekulli e natyrës

Liqeni i Kuqishtës  i njohur ndryshe edhe si Liqeni i Leqinatit ose Liqenati i Madh është një liqen malor i cili ndodhet në Malin e Leqinatit në Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në pjesën perëndimore të Kosovës.
Ky liqen është i njohur në të gjithë Kosovën dhe vizitohet edhe nga njerëzit e
Grykës së Rugovës ashtu si edhe nga alpinistët të cilët ngjiten në majat e maleve të tilla si Liqenati me 2,341 metra dhe Guri i Kuq me 2,522 metra. Liqeni i Liqenatit është në një lartësi mbidetare 1,970 metra mbi nivelin e detit.

Si shkohet te Liqenati?

LiqeniPër të shkuar aty, fillimisht duhet që me veturë të shkoni deri te restoranti Guri i Kuq. Aty mund ta parkoni veturën dhe nga aty fillon shtegu për te Liqenati. Shtegu është i lehtë për t’u gjetur. Gjatë tërë rrugës ka shenja nëpër drunj të cilat tregojnë se cilën rrugë duhet ta ndiqni.
Përveç shenjave, gjatë tërë shtegut ju do të mahniteni me bukuritë e maleve të Rugovës! Gjelbërimi i gjithanshëm, mund të shijoni dredhëza të egra. Pse jo, edhe të përshëndeteni me të panjohurit që i takoni në të njëjtin shteg.

Lodhjen, e cila do t’ju shkaktohet si pasojë e ecjes në terren me vështirësi mesatare, do ta harroni pas thuajse 1 ore e 30 minutave kur të arrini te Liqenati i Madh apo Liqeni i Kuqishtës. Në momentet e para që shikimi juaj do të takohet me pamjen e liqenit, do t’ju pushtojë një dashuri për natyrën. Nga larg, pamja e këtij liqeni është jashtëzakonisht e bukur.

Zakonisht nuk ka turma të njerëzve, andaj ju mund ta shijoni tërë magjinë e tij në një qetësi malore. Nga afër, uji i pastër e i freskët do t’ju bëjë për vete. Vështirë se do të rezistoni pa u futur në të për të notuar në mal. Në të gjitha anët keni hapësirë për t’u ulur dhe për të pushuar. Për ta ngrënë ushqimin që e keni përgatitur paraprakisht. Herë pas here pra mund të freskoheni me not në ujin e kthjelltë të këtij liqeni.

dua Marketplace banner