Më fal – Nisja dhe përfundimi

nga Argjenda Selmani

Fjala më fal ndonjëherë është fjala më e vështirë për tu thënë. Më e rëndësishmja duhet të thuhet vetëm kur ndihet me të vërtetë. Nëse jeni nga ato persona që e keni vështirë të shprehni vetën kur keni gabuar, lexoni këtë artikull deri në fund!

Për të pasur marrëdhënie të shëndosha në jetë qoftë familjare, shoqërore, romantike, ka shumë rëndësi të arrijmë një maturi të tillë. Lexoni disa arsye se pse duhet të kërkoni falje kur jeni gabim dhe pse kjo është gjëja e duhur për tu bërë!

Kur e dini se keni gabuar, mos hezitoni të thoni ‘më fal’

me fal

Shpesh herë ne e dimë që kemi vepruar ngutshëm ose gabim. Mirëpo e kemi vështirë ta pranojmë. Ka shumë rëndësi që ta vendosim vetën në pozitën e tjetrit dhe ta pranojmë gabimin. Sidomos kur e shohim se me veprimin tonë e kemi lënduar apo e kemi bërë të ndihet keq dikë. Qoftë i/e dashur, qoftë mik, familjar apo koleg. Merreni personin në një anë dhe tregoni atij për gabimin që keni bërë. Kërkoni falje.

Kur nuk doni të lëndoni personin tjetër

Nëse qëllimi juaj është të mos i lëndoni njerëzit, por prap se prap në një rrethanë të caktuar dikush është lënduar nga ju, atëherë çfarë po prisni? Kërkoni falje. Për secilin prej nesh është shumë e rëndësishme që të ruajmë pranë vetës personat që janë të rëndësishëm për ne. Mirëpo nësë vazhdojmë t’i lëndojmë, pa kërkuar falje dhe pa ndryshuar sjellje, do t’i humbasim. Prandaj kur ta kuptoni se keni lënduar një person të zemrës, kërkoni falje!

Kur keni bërë dicka pa e ditur se tjetri po lëndohet

Një shaka e nxituar, një veprim i pa pritur, një fjalë e pamenduar mirë, të gjitha këto mund ta lëndojnë dikë. Mirëpo kur ta kuptoni se një veprim i juaj, pa dashur, e ka lënduar dikë, atëherë sqarohuni! Bëjani me dije personit tjetër që qëllimi juaj asnjëherë nuk ka qenë që ta lëndoni. Se shakaja juaj ishte pa të keq. Thoni ‘më fal’ në mënyrë që të jeni rahat me vetën.

Kur keni gënjyer, qoftë edhë ‘gënjeshtra të bardha’

me fal

Gënjeshtra është gabim i madh. Secila marrëdhënie njerëzore e ndërtuar mbi gënjeshtra është e gabuar. Ndonjëherë në gënjejmë edhe për arsye të thejshta. Për të dalë nga situata. Për të mos thënë sqarime. Madje, gënjejmë edhe për të mos e lënduar tjetrin. Mirëpo edhe kjo është e gabuar. Edhe për këtë llojë gënjeshtre duhet të kërkojmë falje, sidomos kur duam të ndërtojmë një marrëdhënie të shëndosh.

Kur nuk e keni mbajtur fjalën

Një nga lëndime më të mëdha që marrrim është kur dikush nuk e mban fjalën e dhënë ndaj nesh. Nëse edhe ti, ke shkelur një fjalë të dhënë, dije se ke lënduar dikë. Pa marrë parasysh rrethanat që kanë quar deri në këtë veprim, ju duhet të kërkoni falje. Personi i zemrës do t’ju kuptojë dhe do ta vlerësojë kërkim e faljes. Prandaj kjo është një tjetër rrethanë në të cilën patjetër se duhet të kërkoni falje.

Kur thoni më fal, kujdesuni të mos e përsërisni gabimin

Kërkim falja nuk ka kuptim në rast se ju vazhdoni ta përsërisni gabimin për të cilin keni kërkuar falje. Prandaj kur të kërkoni falje, kujdesuni të nxirrni një mësim nga e gjithë kjo situatë. Nëse vazhdoni të përsërisni gabimin ju do të ndodheni në të njëjtën situatë të pakëndshme. Madje dikur personat rreth jush edhe do të lodhen nga gabimet e njëjta. Prandaj esenca e këkrim faljes është ta ndieni vertetë nga zemra si dhe të mësoni nga gabimet.