Ndërmarrësi zviceran investon 1 milion euro në dua.com

nga Kaltrina Podrimaj

Dy ndërmarrës me origjinë shqiptare së fundmi kanë themeluar platformën dua.com e cila ka për synim bashkimin e shqiptarëve kudo në botë përmes teknologjisë digjitale.

Duke pasur parasysh se shqiptarët janë ndër popujt më të shpërndarë në botë kjo ide e biznesit ka për qëllim të ndihmojë ata të krijojnë lidhje kuptimplota e serioze me njëri-tjetrin. Kjo do të mundësohet në tri kategori të ndryshme: dashuri, ndihmë dhe biznes përmes aplikacionit, i cili aktualisht është në zhvillim e sipër.

Pikërisht kjo ide ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh të investitorëve si shqiptarë ashtu edhe atyre të huaj, e ndër ta edhe ndërmarrësi zviceran Martin Wyss.

Wyss, një ndërmarrës i suksesshëm nga Zvicra, javën e kaluar ka vizituar Kosovën

Martin Wyss DuaPër një periudhë të shkurtër ka pasur mundësinë të vizitojë disa kompani të ndryshme të ekosistemit startup dhe të njihet me kulturën e biznesit.
Gjatë udhëtimit të tij ai ka vendosur të bëjë investimin e tij të parë me vlerë prej 1 milion euro në Kosovë, në kompaninë dua.com.

Në këtë shumë parash përfshihen servera dhe platforma të ndryshme teknologjike, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e aplikacionit. Kur është pyetur pse ka zgjedhur pikërisht këtë kompani për të investuar ai ka thënë se:

“Unë e dua idenë dhe konceptin e aplikacionit. Bëhet fjalë për të lidhur njerëz, biznese dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo ide funksionon për si për komunitetin shqiptar ashtu edhe për çdo komunitet tjetër në botë.

Kur shikoj një kompani startup-i, disa elementë kryesorë përcaktojnë nëse do të jetë i suksesshëm apo jo. A është modeli i biznesit unik? A është koha e duhur? Dhe më e rëndësishmja, a është ekipi që qëndron pas saj plotësisht i angazhuar dhe i aftë të ekzekutojë atë që ata planifikojnë? Me atë që kam parë në dua.com, unë jam 100% i sigurt se do të jetë një sukses i madh.”

Ai më tutje ka shtuar edhe përshtypjet e tij për Kosovën

Martin Wyss in Kosovo

“Unë vizitova Kosovën dhe u mahnita nga numri i kompanive startup në atë vend. Është shumë e lehtë të ndihet pasioni që të rinjtë kanë. Madje, dua.com nuk do të jetë investimi im i fundit në Kosovë. Unë rekomandoj ta vizitoni vendin dhe të shihni vetë se çfarë potenciali ka.”

Vlen të theksohet se Wyss është ndërmarrës me përvojë të gjatë në teknologji dixhitale.  Me eksperiencë mbi dhjetë vite të suksesshme në botën e biznesit.

Ai sot njihet si investitor.  Si këshilltar në fushën e teknologjisë së informacionit, sporte elektronike, zhvillimin e biznesit, strategjinë e biznesit, transformimin dixhital dhe inteligjencës artificiale.

Themeluesit e dua.com, Valon Asani dhe Larklind Cerkezi shprehen rreth këtij investimi

“Jemi të lumtur që ideja jonë po vlerësohet edhe nga investitorë të huaj. Deri tani kemi pasur një interesim të jashtëzakonshem për investime. Mirëpo, jemi duke u treguar të kujdesshëm se kush mund të ketë qasje në kompaninë tonë.

Martin Wyss ne Linkedin

Wyss na ka ofruar diçka shumë interesante, e cila do të shtojë vlerë në aplikacionin tonë.
Ai na ka ofruar platformën e cila bën përputhjen e fytyrës me fotografinë e dokumenteve zyrtare të identifikimit në mënyrë që llogaritë dixhitale në dua.com të jenë të verifikuara dhe jo të rreme.”

Kompania është themeluar në gusht të vitit 2019, ndërsa lançimi i aplikacionit pritet të bëhet në qershor të këtij viti. Aplikacioni dua.com pritet të thyejë rekorde të shkarkimit për shkak të audiencës së madhe të shqiptarëve. Deri tani ky aplikacion ka arritur të regjistrojë rreth 22.000 testues beta. Gjatë eventit të lançimit pritet që ky numër të arrijë shifra marramendëse.