Pesë mënyra si mund ta rifreskoni marrëdhënien tuaj

nga Argjenda Selmani

Nëse ndonjëhere ndiheni të mërzitur nga rutina në marrëdhënien tuaj në çift, duhet të lexoni këtë artikull! Sidomos nëse ka kaluar goxha kohë që prej herës së fundit kur keni bërë diçka interesante me partnerin tuaj.
Ne ju japim pesë ide se si mund të dilni nga monotonia e përditshmërisë. Me këto aktivitete por edhe të tjera, ju mund të argëtoheni dhe ta njihni partnerin tuaj edhe më mirë.

Bëni një masazh për çift

Couple

Couple

Shumë qendra të SPA kudo në botë e ofrojnë këtë mundësi. Nuk ka asgjë më relaksuese se sa të shijoni një masazh përkrah të dashurit/të dashurës tuaj. Harroni kështu të gjitha streset dhe telashet e ditës. Ambiente të tilla ju ndihmojnë të relaksoheni dhe të ndiheni edhe më mirë.

Shkruani letra njëri-tjetrit

Ndoshta në kohën në të cilën po jetojmë kjo gjë mund të duket e çuditshme. Shumë prej nesh kufizohemi në mesazhet e shkurtra që dërgojmë dhe ndoshta asnjëherë nuk ndalemi t’i shkruajmë pak më gjatë partnerit se si ndihemi për të. Një letër klasike e shkruar me kujdes dhe e menduar mirë do t’ju lirojë emocionalisht. Të dy do të ndiheni të vlerësuar nga njëri-tjetri dhe kjo do e forcojë marrëdhënien tuaj.

Dilni në “Double Date”

Padyshim se njëri-tjetri ju mjafton për të kaluar kohë të mirë. Megjithatë, një energji e re të cilën mund ta merrni nga një çift tjetër, që mund të jeni miqtë tuaj më të mirë, ose të partnerit, është e mirëseardhur. Një takim i dyfishtë do t’ju bëjë të reflektoni për lidhjen tuaj.

Krijoni një traditë në marrëdhënien tuaj

Couple

Couple

Nuk ka shumë rëndësi a lidhet me një festë, një përvjetor, apo një ditëlindje. Ju mund të krijoni një traditë që është specifikisht e juaja. Për shembull, mund ta shikoni çdo vit në të njëjtën datë filmin tuaj të preferuar.

Mund të bëni traditë që kafen e mëngjesit çdo të shtune ta pini bashkë. Traditat i mbajnë të lidhur kombet dhe njerëzit prej vitesh. Pse mendoni se s’do të funksiononte edhe me ju? 

Mësoni diçka të re së bashku

Mund të jetë një vallëzim, një sport, një gjuhë e re, apo edhe luajtja e një instrumenti. Nuk ka shumë rëndësi.
E rëndësishme është të jetë diçka për të cilën të dy keni interes. Procesi i mësimit bashkë do t’ju afrojë me njëri-tjetrin dhe do të nxjerrë edhe më shumë në pah dëshirën që keni për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Mos harroni, dashuria është një proces i vazhdueshëm rritjeje, kompromisi dhe bashkëpunimi.