Poezi dashurie unike që mund t’ia dedikoni njeriut të zemrës

nga Flogerta Driza

Sot kemi zgjedhur t’ju sjellim poezi dashurie të veçanta që mund t’ia dedikoni partnerit apo partneres tuaj. Poezitë e dashurisë janë gjithmonë zgjedhja e shumë të dashuruarëve për të shprehur thellësinë e ndjenjave të tyre.

Poezia është një krijim kompleks po aq sa ndjenja e dashurisë, sepse me fjalët e zgjedhura si duhet mund të përcjellë më shumë se mijëra rreshta të një romani. Mund të shfaqë thellësinë e dashurisë por edhe esencën e ndjenjavë të përziera në të. Poezi dashurie të tilla mund të japin në pak vargje të gjithë pasionin, dëshirën, vuajtjen, trishtimin, xhelozinë dhe ndjeshmërinë që ke ndaj një personi.

Dhemb dashuria nga Bledi Ylli

poezi dashurie

Foto: Freepik

Dhëmb, të presësh shiun në shkretëtirë
E buzët e thara dhëmbin për një puthje.
Në ato buzë-mbrëmje ku shpirti është i ngrirë
Dhëmb, kur dëshirat me kohën bëhen lutje.
Dhëmb, të heshtësh në pritjen e pafund

Në pritjen e asgjëje mes mallit përvëluar.
Aty ku shpirt-dëshira bëhet tërmet e tund.
Ku dashuron ikona nga koha tjetërsuar!
Dhëmb, të kesh ç’të flasësh e mos të kesh ku
Fjalët rrinë mes dhëmbëve e shtyjnë me rrëmbim.

Atëherë kur ëndrrat marrin sytë e tu
Ashtu si padashur, hyn’ në shpirtin tim.
Dhëmb, cdo hap i yti i hedhur brenda meje
Zemra del nga ritmi e mëndja pak nga pak.
Kujtimi yt i ëmbël me gjakun rrjedh ndër deje

Shumë kohë që prisja ”ujin” e ti vije si flakë!
Dhëmb, kur dashuria rron veç në kujtime
Buzët duan puthje e trupi kërkon duar.
Më pas të gjith’ të tjerat janë veç supozime
E vuan largësinë, kush është i dashuruar!

Pastaj kemi poezinë e paharrueshme të Ismael Kadaresë që kap në mënyrë të përkryer ndjenjën e padurueshme të mallit që kemi kur ndahemi nga njeriu i zemrës.

Mall nga Ismail Kadare

mall

Foto: Freepik

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

Në ç’ënderr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi vallë?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall

Poezia e paçmueshme e Irma Kurtit, që kycçnë vargjet e saj se si merr kuptim jeta e njeriut kur ka një motiv për të jetuar. Sidomos kur ky motiv bëhet dashuria e jetës tënde.

Dua të jetoj, që të vdes me ty nga Irma Kurti

poezi dedikim

Foto: Freepik

Dua të jetoj, që të vdes me ty,
e mbështjellë me dashurinë tënde,
të vështrohemi gjersa të fiket drita
dhe njeri-tjetrin të kemi në mëndje.

Të largohemi nga kjo botë pa u ndjerë,
të munduar prej jetës, të lodhur.
Me pak trishtim: nga ndjenja
për njeri-tjetrin, ende të pangopur.

Të betohemi se do të jemi bashkë,
në natën e errët dhe pa dritë,
ku s’do flasim, s’do të ndjejmë më,
në gjithësinë që të ngjall frikë.

Dua të jetoj, që të vdes me ty,
mbështjellë me dashurinë tënde!

Poezi dashurie kemi edhe plot të tjera, po ju sjellim dhe të fundit për sot, duke ju premtuar edhe shumë të tjera po kaq të bukura. Keshtu që po e mbyllim me Dritëro Agollin, me një nga poezitë e tij jo shumë të njohura, por po kaq të ëmbël sa të tjerat.

Kësaj nate me hënë të vjeshtës nga Dritëro Agolli

poezi dashurie

Foto: Freepik

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-ketu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.

Për të lexuar më shumë poezi dashurie vizitoni: https://www.dua.com/poezidashurie/