Ra ky Koronavirus e nuk po shihemi! 

nga Argjenda Selmani

Kosova dhe Mali i Zi ishin dy vendet e fundit në Evropë të paprekura nga Koronavirusi. Mirëpo kjo gjë ka ndryshuar nga e premtja. Përderisa ditën e parë kishim vetëm dy të prekur, tri ditë më pas në mëngjesin e kësaj të hëne, kemi gjithsej trembëdhjetë të infektuar me Koronavirus si dhe tri qytete të karantinuara.

Vitia, Klina dhe Malisheva janë tri qytetet e para të Kosovës që janë shpallur karantinë. Me qëllim që Koronavirusi të mos përhapet më tepër në qytetet  ku u shfaq  hyrjet dhe daljet në to janë ndaluar. 

Supermarket ne Prishtine

Supermarket në Prishtinë

Qytetarët në anën tjetër që nga java e kaluar kanë frekuentuar në masë të madhe marketet ushqimore dhe farmacitë. Duke u kujdesur që të mos ju mungojnë gjërat elementare në këto ditë izolimi.

Të gjitha institucionet shkollore janë mbyllur në fillim të javës së shkuar dhe shteti ka shpallur emergjencë shëndetësore. Ka mbyllur bizneset dhe lokalet duke ju kërkuar shumicës të punojnë nga shtëpitë.  Gjithashtu ka shtyer gjitha pagesat për datën 30 prill. 

 

Gjithçka që na kërkohet është të rrinë mbyllur në shtëpi! E për shume prej nesh kjo po del të jetë mjaftë sfiduese…

Kryeqyteti më makiaton më të mirë në botë mbyll kafiteritë

Përderisa vet-karantimi i qytetarëve filloi të premten, sfida më e madhe e izolimit për prishtinasit padyshim do të jetë kjo e hëne. Kjo për arsyen e thjesht se fundjavat janë gjithsesi të qeta në Prishtinë. Pjesa më e madhe e banorëve prishtinas sot nuk janë zgjuar nga gjumi për të marrë rrugën drejt zyreve dhe vendeve të tjera të punës.

Kafiteri

Kafiteri në qendër të Prishtinës

Shumica prej tyre besoj se  punët po i kryejnë prej shtëpisë. Kryeqyteti që dikur u vlerësua se e ka makiaton më të mirë në botë, ka mbyllur tash e tri ditë kafiteritë. Bashkë me to edhe dyqanet, qendrat tregtare e bizneset e tjera janë mbyllur si masë mbrojtëse nga Koronavirusi. Unë nuk e mbaj mend herën e fundit që kam filluar ditën e punës pa pirë një makiato pa shkumë në qendër të Prishtinës.
E makiato është vetëm një simbolikë e gjithë jetës shoqërore që ka pushuar në Prishtinë.
 Përfshirë aktivitetet kulturore e sportive.  

 

Kujdesi dhe solidariteti na duhen më së shumti këto ditë

Këto ditë kam dëgjuar  gjeneratat e vjetra tek thonë se heshtja e kryeqytetit po i ngjan orës policore të ish-Jugosllavisë. Për fatin e mirë, Prishtina ka qenë e gjallëruar 20 vitet e fundit dhe po heshtë vetëm për sigurinë shëndetësore. 

Rruget e Prishtines - Koronavirus

Rrugët e Prishtinës

Askush nuk e ka të qartë se sa do të zgjas kjo gjendje. Askush nuk e di se a do të festojmë 21-vjetorin e Çlirimit në qershor të këtij viti në vet-karantinë apo rrugëve të Prishtinës.
Për momentin numri i të prekurve në Kosovë është më i vogël se në vendet e rajonit.  Mirëpo kjo gjë mund të ndryshojë shpejtë!
Mbrëmë qytetarët e Prishtinës dolën në ballkone për të duartrokitur mantilbardhët dhe të gjithë punëtorët e tjerë që në këto ditë po ju shërbejnë qytetarëve.

  Ky ishte gjesti i parë simbolikë i solidaritetit. Jam e bindur që shumë të tillë do të shohim ditët në vijim nga banorët kreativë të Prishtinës. Derisa ambienti të jetë më i sigurtë, le të rrimë brenda shtëpive tona dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin!