Rutina e të rinjve shqiptarë

nga Flogerta Driza

Nëse mendoni se rutina e të rinjve shqiptarë fillon kafeneve, e keni shumë gabim. Ndryshe nga ç’pasqyrohet në media të rinjtë shqiptar punojnë shumë. Për të mbledhur të dhëna të sakta për ta, vendosa t’i pyes përsonalisht. 
Mu desh të prisja një ditë të tërë për të mbledhur informacion të mjaftueshëm prej tyre, sepse shumica mund të përdornin telefonin vetëm gjatë pushimit të tyre në punë.

Impresionuese kjo për një brez që flitet se rri vetëm në rrjetet sociale. Disa prej tyre edhe pse punojnë me menaxhimin e rrjeteve sociale, e kanë të mbushur kohën me shumë projekte mbresëlënëse.

Steriotipet nuk i pëlqejnë askujt, sidomos kur këto të fundit vendosin kufij të pathyeshëm për këta të rinj të mbushur me energji dhe pasion për jetën. Ky është artikulli i parë që hapim me rubrikën e të rinjve shqiptarë dhe çdo të hënë do flasim për rutinën e tyre. 

Arty, 22 vjeç

Arti

Foto: Arty

Për Artyn kemi folur edhe më parë. Ky djalë është arsyeja e bashkimit të shumë të rinjve.
Përveçse një djalë me një energji të pashtershme, Arti është një djalë super social. Ja se ç’thotë ai për rutinën e tij: 
“Dita ime nis pak vonë, pas orës 10:00. Më pas më presin 8-10 ore punë. Më vonë rikthehem në shtëpi dhe merrem me gjërat e mia. 
Gjatë javës koha është shumë e ngarkuar dhe puna përpara kompjuterit nuk të jep mundësi për aktivitet fizik.
Mundohem që këtë aktivitet ta zëvendësoj gjatë kohës që jam duke shkuar në punë, ndaj shpeshherë shkoj me patina.”
Për patinat e Artit kemi folur në një artikull të tërë. Lexojeni këtu artikullin.
“Edhe në punë, gjatë javës, duke qënë se s’para takoj njerëz të tjerë, mundohem të krijoj shoqëri në çdo ambjent që jam (në punë, përvçese kolegë, jemi edhe miq shumë të mirë).

Ndërsa, në fundjavë kohën e shpenzoj me familjen, veten ose shoqërine. Shkoj shumë rrallë nepër klube nate.
Nuk më pëlqen të festoj çdo fundjavë… Kam shumë qëllime për të realizuar dhe mundohem të festoj në mënyren time, dita-ditës (duke qëndruar i fokusuar edhe i lumtur në ato gjëra që po bëj.) Gjithashtu, në qoftë se dua të takoj apo të dal me dikë, preferoj të bëj një udhëtim me të ose thjesht të ecim në natyrë para se të ulemi në kafe.

Në Instagram shpenzoj goxha kohë, rreth 1-2 orë në ditë. Eshtë një kohë e konsiderueshme, por e bëj me pasion. Profilin tim e përdor për të përhapur mesazhe pozitive, për të ngritur kauza që na prekin, për të motivuar edhe për t’u dhëne guxim shumë të rinjve të tjerë, që: “PO, nëse punon për gjërat që ke pasion, do arrish çdo gjë, kudo që të jesh!” 🙌

Driloni, 27 vjeç

Driloni

Foto: Driloni

Driloni, tashmë një djalë i rritur na surprizoi kur na shpalosi rutinën e tij.
Jo vetëm që është shumë punëtor dhe aktiv, por edhe shprehet se pavarësisht të gjithave, gjen kohë për familjen e tij dhe për pasionin e tij që është biçikleta.
Ok, ok nuk është vetëm biçikleta, megjithëse kaq kuptuam nga Driloni misterioz. Ja si shprehet ai kur e pyetëm për rutinën e tij javore:
“Unë jam Driloni. Dita ime fillon shumë herët në mengjes. Gjatë ditës bëj 3 punë. 😱Njëra nga punët më merr 8 ore, pra kohë të plotë. Dy te tjerat më marrin afërsisht 2 deri në 3 orë.
Sigurisht, duke qënë kaq i ngarkuar pasditja eshtë shumë e ngjeshur. Përgjithësisht me gjëra të vogla shtepiake, kujdesi për veten dhe një përmbledhje të punës së kryer gjatë ditës.

Mbremja pastaj eshtë 1 orë relaks, pak muzikë ose ndonjë film, por jo gjithnjë ndodh kështu. Në shumicën e kohës mundohem të organizohem për ditën tjetër. 
Fundjavën e shfrytëzoj për të kaluar pak kohë me miqtë dhe familjen. Dhe sigurisht nuk mund të harroj biçikletën që është shoqëriesja ime e pandarë gjatë gjithë javës.”

Fatjona 

Fatjona

Foto: Fatjona

Fatjona nuk deshi t’na e tregonte moshën, por e kuptojmë, ne vajzat e kemi pak problem këtë gjë. 😂
Megjithatë, Fatjona është një vajzë e shkëlqyer dhe shumë aktive. Kështu që po ju përmbledhim shkurtimisht rutinën e saj:
“Në përgjithësi, kam një javë shumë aktive. Dita ime nis shumë herët në mëngjes (05:30) me pak aktivitet fizik në kushte shtepie, pastaj mëngjesi dhe vrap në shkollë. 
Pasi mbaroj shkollën, përfshihem nëpër aktivitete të organizatave ku une jam pjesëmarrëse.
Aktivitetet janë nga me të ndryshmet si kulturore, sportive, edukative dhe trajnuese. Gjatë kësaj kohe arrij të njoh shumë njerëz të rinj dhe energjikë. 
Pastaj nga ora 19: 00 jam më në fund ne shtepi. Pushoj sa mundem, ulem të studioj dhe pastaj merrem me Instagramin pasi sapo kam hapur një blog.🤗
Siç u shpreh Arti edhe unë harxhoj shumë kohë këtu, por nuk lodhem.

Ditën e mbyll duke parë ndonjë film, serial ose duke lexuar ndonjë libër (varet nga gjëndja ime emocionale). Gjithmonë para se të fle i rikujtoj vetes gjërat që më presin për ditën e nesërme. Është pak e çuditshme, por kështu veproj.😂
Fundjava i përket familjes, rri në shtepi në shoqerinë e motrave, vellezërve dhe ndonjëherë bëj vizita tek të afërmit. Fundjavën e shfrytëzoj gjithashtu për të punuar me eventet qe kam në mars. Jane dy evente që i organizoj unë në bashkëpunim me disa vajza.

Tek dy të tjera do të jem folësja per tema në fushën e ekonomisë. Kohët e fundit kam qënë pak e ngarkuar, e lodhur dhe e mërzitur, por pavaresisht këtyre ndihem e lumtur sepse po realizoj pak nga pak gjërat që dua. Me pak fjalë, nuk ka punë pa lodhje!”

Fjori, 22 vjeç

Fjori

Foto: Fjori

Fjorin e vogël e njoh, edhe pse jo shumë e vogël ,por kështu më pëlqen të flas për të. Vajzë pozitive, e vetëdijshme dhe e informuar. Nuk ka çështje sociale ku ajo nuk përfshihet, dhe për këtë gjë kemi folur shpesh herë në rrjetet sociale.
“Une jam Fjori, 22 vjeç.
Dita ime fillon kur t’me dalë gjumi mua 😂 dhe per këte pjesë jam pak në luftë me veten, sepse kam qëndruar për shumë kohë pa angazhime. Tani e kam pak të vështire të zgjohem herët. 
Momentalisht jam duke mësuar graphic design online, menaxhoj 3 social media accounts dhe 1 faqe web-i si freelance. I jam futur me kokë studimit të gjuhës gjermane.

Jam njeri që eci shumë, mbi 20km pothuajse çdo dite, shkoj kudo në këmbe. Nuk përdor as makinë, as autobus, as bicikletë, asgjë me pak fjalë. Sa të kem këmbët e mia jam mirë. 
Në darkë, mos më fajësoni, por shoh seriale turke, lexoj disa faqe libri dhe bëj gati planin për ditën tjeter.
Ne nje bllok shenoj gjithë detyrat që duhet të plotësoj për ditën tjetër. Çdo darkë rishikoj çfare kam realizuar ose jo dhe kjo më ka stresuar shumë. Po mundohem shumë për të përmirësuar veten në shumë aspekte.
Në fundjavë mund të bëj ndonjë udhëtim të vogël me të shpisë ose me shoqërine. Kjo është e gjitha!” 😍

Xhovana, 20 vjeç

Xhovana

Foto: Xhovana

Xhovana është një stomatologe e ardhshme, dhe ashtu si të rinjtë e tjerë që përmendëm më sipër edhe java e saj është e mbushur plot.
Duke vrapuar sa andej këtej, duket se java e Xhovanës nuk ka të sosur. Xhovana na tregon se si nis java e saj më poshtë:
“Rutina ime gjatë gjithë javës është shumë e ngarkuar. Dita fillon në orën 07-07:30, por jam në bisedime e sipër me veten ta nis edhe me shpejt. 
Zgjohem herë e lodhur dhe herë e motivuar drejt për në shkollë. Jam në vit të tretë për stomatologji. 👩‍🔬

Zakonisht kam orare shumë të rregullta deri në orën 13:00-14:00, pastaj punoj nga shtëpia në 2-3 orët e ardhshme. Jam duke menaxhuar një person që merret me turizëm dhe po ndertoj një forme biznesi online për turistë të huaj. 
Po krijoj një biznes timin (agjensi turizmi dentar) dhe në kohën time të lire jam nëpër takime, kontakte me njerëz dhe menaxhim. 
Në orën 17:00 e më pas punoj në një klinikë dentare si asistente. Në procedurat e ndryshme punoj personalisht me pacientët e mi dhe merrem me pjesën e komunikimit online me ta. 💪
Darka më gjen gjithmonë shumë të lodhur, por të detyruar të merrem me mesimet ose me ndonjë ecje gjatë natës kur boshatisen rrugët e Tiranës.
Në fundjavë jam pak më e lirë për të dalë me miqtë ose familjen, për të lexuar libra psikologjikë, ose për të bëre aktivitete argëtuese.”
Këta ishin 5 të rinjtë që hapin rubrikën tonë dedikuar atyre, dhe sigurisht kjo do të bëhet traditë për blogun tonë. Ju ftojmë edhe juve të na bashkoheni e të na tregoni për rutinën tuaj. Le të thyejmë çdo steriotip në lidhje me rininë shqiptare.

Shkruar nga: Flogerta Driza
flogerta@dua.com

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓