Sahat Kulla e harruar e Prishtinës

nga Argjenda Selmani

Është e vendosur në qendrën historike të Prishtinës dhe e mbuluar me pluhurin e harresës. Sahat Kulla është një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në kryeqytetin kosovar. 

Historia e kësaj kulle daton nga shekulli XIX-të, përkatësisht në gjysmën e dytë  të shekullit. Ka shumë fakte interesante rreth saj të cilat shumë pak persona i dinë.

Ora që tregonte kohën e lutjeve

Sahat KullaE lartuar në 26 metra, Sahat Kulla e Prishtinës ishte objekt tejet i rëndësishëm në kohën e vet. Duke qenë se tregonte orën e saktë ajo u shërbente shumë qytetarëve të Prishtinës.
E vendosur pranë disa objekteve fetare ajo ishte referencë për kohën e lutjeve. Sahat Kulla është e ndërtuar me tulla dhe gurë heksagonal, e murosur me gurë deri në 16.5 metra lartësi.

Fasada e sahat kullës ka hapje të vogla harkore. Afër saj gjindet gjimanzi i qytetit dhe tashmë është e rrethuar me ndërtesa shumë më moderne. Vetëm Sahat Kulla dhe disa rrugica me kalldrëm që gjenden afër saj u japin banorëve shijen e Prishtinës së vjetër. Këtu nuk duhet të harrojmë as xhamitë e Prishtinës, Hamamin dhe Muzeun Etnologjik, për të cilat do të shkruajmë një ditë tjetër.

Këmbana që erdhi nga Turqia në Vushtrri e nga Vushtrria në Prishtinë

Historia e kullës me orë të Prishtinës lidhet me emrin e Jashar Pashë Gjinollit. Tejet interesant është rrugëtimi i kambanës së kësaj kulle. Kambana e vjetër e kullës është sjellë nga turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi. Atë e morën si plaçkë luftë dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vunë në sahat kullën e atij qyteti.

Ndërsa me urdhrin e Jashar Pashës kambana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë. Kambana përmban një numër të madh të dekoreve, të ornamenteve të ngjashme më gjethet e ahut. Pavarësisht rrugëve të gjata të kaluara, kambana ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime të mëdha. Në vitin 2001 asaj i është vjedhur mekanizmi i kambanës origjinale. Një vit më vonë, KFOR-i francez vendosi një mekanizëm elektronik që u dëmtua dhe nuk funksionon.