Shkoni te Kalaja e Novobërdës dhe shihni gjurmët e mesjetës

nga Argjenda Selmani

Novobërda ndodhet rreth 40 km në lindje të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Kurse Kalaja e Novobërdës daton në shekullin e 14-të. Kjo dëshmohet nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet. Gojëdhënat për këto treva e tregojnë lashtësinë e qytetërimit dhe jetës në këto anë.
Thënë shkurtë, Novobërda është vendi i duhur për tu arratisur për një vikend të qetë afër Prishtinës por fare larg zhurmës së qytetit. Përkundrazi shumë afër qetësisë e antikitetit. Nëse qëndroni në Novobërdë do të mësoni shumë për historinë e popullit tonë.

Kalaja nga e cila shihen katër komuna

Kalaja e Novoberdes

Foto: Databaza e Trashëgimisë Kulturore

Perandoria Bizantine kishte vendosur që të ngrinte një kala nga ku mund të shiheshin si në pëllëmbë të dorës 130 hektarët. Këta hektarë që tani janë shpallur zonë e mbrojtur. Nga Kalaja e Novobërdës mund të sodisësh hyrjet e katër komunave të mëdha: Prishtinës, Lipjanit, Kamenicës si dhe Gjilanit.
Pozita strategjike e ka bërë këtë kala të jetë e rëndësishme si pikë, në kohën e perandorive e pushtimeve për territore.

Gjurmët e Perandorisë Romake e Bizantine, i gjen pak metra nga kalaja. Aty ku gjenden muret e një ndërtese katedrale, të cilës vetëm muret i kanë shpëtuar. Rruga gjarpërore rreth kodrës së Kalasë është e asfaltuar. Këtë investim e ka bërë Bashkimi Europian. Kalaja e Novobërdës renditet si njëra nga lokalitet më të rëndësishme historike të Kosovës.

Mikëpritja shqiptare ndihet në Novobërdë

Kalaja e Novoberdes

Foto: Vila Kalaja

Për shkak të asaj bukurie natyore që  e karakterizon dhe vlerës historike që ka, Novobërda po tërheqë viteve të fundit shumë vizitorë.  Jo shumë larg malit ku ngrihet Kalaja e Novobërdës janë ndërtuar dhjetra vila të vogla dhe shtëpi malore që po zhvillojnë turizmin në këto anë. Aty në afërsi janë hapur edhe disa restorante kryefjala e të cilave është ushqimi tradicional shqiptar. Ajo çka i bie në sy çdo turisti të këtyre anëve janë çmimet ë arsyeshme të kësaj zone.

Për të pasur kohë ta njihni mirë Novobërdën dhe historinë e saj bashkë me Kalanë mjafton të kaloni një vikend atje. Ju do të relaksoheni në ajrin e pastër dhe do të mësoni shumë gjëra të reja. Mos ta harrojmë këtu shijen e ushqimit të pjekur në furrën e druve.  Mirëpo edhe qetësinë që e karakterizon këtë rajon që është i përshtatshëm për vizitë në çdo stinë të vitit.