Si po i përgjigjet Diaspora kërkesës së Kosovës për ndihmë?

nga Argjenda Selmani

Ditë më parë Qeveria e Kosovës i bëri thirrje për ndihmë Diasporës duke hapur një fond ku ata mund të kontribojnë. Ky fond do të përdoret për të menaxhuar situatën e krijuar nga covid19.

Mirëpo, si e priti Diaspora këtë kërkesë të Qeverisë së Kosovës? Të dhënat e para thonë se për 24 orë në këtë fond u mblodhën 84.000 euro. Ne i kemi pyetur disa nga mërgimtarët që na ndjekin në profilin tonë zyrtar në Twitter se çfarë mendojnë për ketë kërkesë. Më poshtë mund të lexoni se si janë përgjigur ata.

Me apo pa thirrje, Diaspora ndihmon Kosovën

Me tu publikuar thirrja e qeverisë se kërkohet ndihmë nga Diaspora, komentet ishin të shumta e nga më të ndryshmet. Nga njëzetë miqtë tanë që pytem në Twitter trembëdhjetë prej tyre e thanë se e kanë mirëpritur këtë fond. Ata thanë se kanë kontribuar tashmë ose do të kontribojnë së shpejti.

Kurse shtatë prej tyre thanë se Diaspora i ndihmon vazhdimisht individualisht familjet e veta. Mirëpo ata nuk e shohin të arsyeshme që një shtet të kërkojë një ndihmë të tillë. Sipas tyre një shtet nuk duhet të funksionojë kështu.

‘E kuptojmë Qeverinë që ka trashëguar një shtet të thyer’

Flamur Radoniqi jeton në Calgary të Kanadasë me familje. Për blogun tonë ai thotë se ata e shohin kërkesën e qeverisë së Kosovës si të arsyeshme. Si e tillë, në një shtet funkcional kjo nuk do të arsyetohej, megjithatë ne e koptojmë që Qeveria në detyrë ka trashëguar një shtet të thyer dhe të dobët financiarisht”, thotë Flamuri.
Ai thekson se pandemia e ka bërë gjendjen edhe më të rëndë andaj kërkesa për ndihmë është mëse e justifikueshme dhe e përkrah në tërësi.  Mërgimtari nga Kanadaja zotohet se edhe familja e tij do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj thirrjeje së shpejti.

Thirrja për ndihmë, një akt dëshpërues për një shtet

Agim Ademi, që jeton në Karlshamn të Suedisë, thotë apelimi që Albin Kurti i ka bërë diasporës është një akt dëshpërues dhe i padinjitetshëm për një shtet.
Mirëpo megjithatë ka zgjedhur t’i përgjegjet pozitivisht dhe me aq sa 
ka mundësi të ndihmoj.
“Kam dërguar një shumë modeste në xhirollogarinë e Bankës Qëndrore të Kosovës dhe bile kam kërkuar nga shumë të njohur (sidomos nga përkrahës fanatik të Kurtit) që të ndihmojnë”, tregon Agimi.

Tutje ai thotë se krizë është edhe në Suedi.  “Pasiguria që dominon konjunkturën ekonomike nuk lë vend të jem aq dorëshlirë sa ndoshta do të doja. Pastaj unë mbaj nanën time në Kosovë, që vështirë se do t’ia dilte me 90 euro pension në muaj”, thotë ai. Për fund thekson se rregullisht paguan tatimin për pronësi dhe taksa tjera të obligueshme për çdo qytetar të Kosovës.