Si të ndihmoni fëmijët me autizëm gjatë vetizolimit?

nga Flogerta Driza

Fëmijët me autizëm po e vuajnë më shumë se gjithkush situatës në të cilën ndodhemi. Kjo si pasojë e prishjes së rutinës së tyre. Kjo është një sfidë edhe për prindërit e tyre pasi do t’iu duhet që t’u mësojnë atyre një stil të ri jetese. 

Erinda Myrtja

Për këtë dua të ndaj me ju pesë nga pyetjet e shumta që prindërit e fëmijëve me autizëm parashtrojnë. Duke shpresuar që do t’ju vijnë në ndihmë.

1. Cilat janë disa aktivitete argëtuese që mund të bëni në shtëpi për t’i mbajtur nën kontroll?

Ne e dimë që çdo rast është i ndryshëm nga tjetri, por një e përbashkët e të gjithë fëmijëve me spektër autizmi është se ata duan dhe ndjekin në mënyrë preçize axhendën. Kështu që gjatë vetë-izolimit, duhet t’u siguroni atyre një ditë të ngjeshur me aktivitete. Mundohuni sa më shumë t’i mbani fëmijët e zënë. Me këtë nuk nënkuptoj që t’u lini atyre smartphone, PC apo TV pasi kjo shkakton sjellje agresive, por tu lini lojra që stimulojnë kreativitetin.

 Keto lojera ndihmojnë në zhvillimin e tyre dhe janë aktivitetetë dobishme për rritjen e vëmendjes dhe komunikimin vizual. Nëse prindërit nuk kanë patur një rutinë sepse fëmija i tyre ka qenë në shkollë apo terapi, tani duhet ta bëjnë këtë gjë pasi kjo situatë nuk dihet sa do zgjasë. Ndryshimi i rutinës mund te sjellë edhe një ndryshim në sjellje, prandaj prindërit duhet të jenë të fokusuar tek ata. 

2. Si ta menaxhojmë situatën kur fëmija juaj shpërthen me emocione të forta apo sjellje agresive?

Së pari duhet të jemi të qetë, duhet t’i “mashtrojmë” ata, duke qënë të durueshëm dhe të vendosur. Për shumë prej nesh tendenca që të flasim apo të reagojmë me impulsivitet është më e madhe kur gjërat na dalin jashtë kontrollit. 

Kur një fëmijë është i stresuar mund të ketë vështirësi të kuptojë atë që ju doni t’i thoni. Ndaj mundohuni të flisni sa më shkurt, mbase me një fjal të shoqëruar me sinjal vizual. Gjeni nje hapësirë të qetë në shtëpinë tuaj. Krijoni një ambient të tillë që ta stimuloni fëmijën tuaj të qetësohet natyrshëm. Si p.sh vendosni muzikën e tij/saj të preferuar dhe lëreni të kërcejë ose jepini lodrën e preferuar. 

3. A duhet të flasim me fëmijët me ÇSA për COVID-19?

Sigurisht që po. Është shumë e rëndësishme që të bisedoni me fëmijën tuaj për COVID-19 në një mënyrë të thjeshtë pa i frikësuar ato, duke komunikuar në atë mënyrë që fëmija juaj preferon. Si p.sh nëpërmjet fotografive, tregojani si përrallë apo shikoni nje video dhe shpjegoiani me fjalë të thjeshta. Por, duhet të keni parasysh që fëmija të mbahet nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Kërkoni një mbështetje profesionale nëse ai/ajo ndihet i/e shqetësuar.

4. Përse duhet të shpjegojmë gjithçka nëpërmjet lojës?

Sepse loja i ndihmon te lidhin mendimet dhe ndjenjat me ngjarjet duke i lejuar kështu që të shprehin emocionet. Elementet e lojës dhe gjendjet emocionale në të cilat kalon fëmija janë të rëndësishme për zhvillimin e tij/saj. Nëpërmjet lojës përmirësoni aftësitë motorike, rrisni përqendrimin dhe vëmendjen e fëmijës tuaj.

5. Si t’i ndihmojmë fëmijët me ÇSA të luajnë?

Fëmijët autikë pëlqejnë të luajnë, por zakonisht ata preferojnë te luajnë një lojë në mënyrë të përsëritur. Për këtë do t’ju duhet të kuptoni gjendjen e tyre. Edhe pse ata nuk e përdorim komunikimin verbal kjo nuk do të thotë që ata janë të pakuptueshëm, përkundrazi ata e shprehin gjendjen e tyre emocionale nëpërmjet gjestikulacionit të trupit. 

Është e rëndësishme të kuptoni botën e tyre dhe të bëheni një me fëmijën tuaj. Krijoni ambjente stimuluese për ta nëse është e mundur. Mundohuni që ta përafroni sa më shumë me shokët e klasës ku fëmija zhvillon terapi. Sigurohuni që mos të ketë gjëra që mund të thyhen duke shmangur kështu mundësinë që ata të lëndohen.

Qëndroni në kontakt me terapistin ose mësuesen. Kërkoni mbështetjen e profesionistëve, ndani shqetësimet tuaja dhe të fëmijës tuaj me ta. Mbani mend që nuk jeni vetëm. Jemi të gjithë së bashku në këtë rrugëtim.

dua Marketplace banner