Si të ndihmoni fëmijët të kalojnë më lehtë vetizolimin?

nga Flogerta Driza

Vetizolimi nga koronavirusi është i vështirë tek të gjithë, veçanërisht tek fëmijët. Ndaj, për të kuptuar më shumë si t’i ndihmojmë ta përballojnë më lehtasi këtë periudhë, u konsultuam me një psikologe për disa këshilla profesionale.

Erinda psikologe per fëmijët

“Fëmijët janë ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje emocionale dhe kujdes prindëror në këto momente. Prandaj doja të ndaja me ju disa këshilla se si ta menaxhoni këtë situatë të prindër dashur prindër.”

1. Tregohuni të kujdesshëm

Shpjegojuani fëmijëve me sinqeritet se cfarë po ndodh realisht. Me shumë kujdes zgjidhni fjalë sa më të thjeshta pasi kështu fëmijët do jenë më pak anksioze ndaj situatës aktuale.

2. Kujtojuni atyre që kjo është një situatë e përkohshme

Fëmijet e kanë më të vështirë të përshtaten me situatat e reja, prandaj sigurohuni që atyre të mos u mungojë rutina e përditshme që kishin përpara kësaj pandemie. Si ta bëni këtë?

Edhe pse e vështirë në dukje mund të bëni shumë. Së pari, respektojeni orarin e gjumit dhe mos e neglizhoni për faktin që janë pushim. Bëni një axhendë ditore të aktiviteteve të ndryshme me të cilat mund t’ua mbushni ditën.

3. Merni në konsideratë ndjenjat e tyre

Është e rëndësishme të flisni me femijët dhe të kuptoni ndjenjat e tyre. Pyetini se si ndihen, cfarë i shqetëson më së shumti, por edhe ju mos ngurroni të shprëhni ndjenjat tuaja.

4. Kujtojuni fëmijëve të kujdesen për higjenën e tyre

Për ta bërë këtë, kthejeni aktivitetin e higjenës në një lojë krijuese. Për shembull, kur të lajnë duar këndoni ‘Shumë urime për ty. Nga OBSH këshillohet që duart të lahen për të paktën për 20 sekonda, kënga e ditëlindjes zgjat disa sekonda më shumë kështu që është ideale. 

5. Luani sa më shumë lojra në kushte shtëpie

Lojrat zhvillojnë kreativitetin dhe fantazinë e fëmijës prandaj krijoni së bashku me fëmijët lojra me mjete rrethanore. Për shembull: Plastelinë, puzzle, në kërkim të thesarit, kuka-fshehti. Ose nxiteni për vizatime ku femija të shpreh ndjenjat nëpërmjet ngjyrave. Lojën “sikur” ku imitohen personazhe të filmave të animuar etj.

6. Mbajini ata sa më larg medias

Kjo është një nga këshillat më të rëndësishme, ndaj dua ta mbyll me këtë. Madje, do t’ju këshilloja që edhe ju si prindër mund të reduktoni marrjen e informacioneve nga lajmet. Ka shumë rëndësi që të flisni sa më thjeshtë me fëmijët tuaj. Kujdesuni që ata të jeni të qetë dhe nëse janë kuriozë jepuni informocione të thjeshta inkurajuese. 

E falenderojmë Erindën që ndau me ne këto këshilla të vlefshme. Jo vetëm që janë të domosdoshme për një familje, por mbi të gjitha vijnë nga një eksperte e fushës. Shpresojmë që periudha e vetizolimit të jetë sa më e lehtë për të gjithë.