Si të ndihmoni në rast tërmeti?

nga Flogerta Driza

Tërmeti ndodhi. Fatmirësisht, nuk u gjendët afër zonave të prekura, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndihmoni. Ja disa nga mënyrat se si mund të ndihmoni.

Informohuni

Së pari, duhet të bashkëpunoni me njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë për të bashkëpunuar është duke u informuar. Mbani të ndezur radiot dhe televizionet dhe dëgjoni se ku ndodhen qëndrat e ndihmës së shpejtë. Sigurohuni që të merrni një informacion të plotë dhe të saktë.
Së dyti, drejtohuni tek institucionet shtetërore dhe qëndrave të emergjencave civile dhe mësoni më shumë në lidhje me masat që po merren për të ndihmuar të prekurit nga tërrmeti. 

Ofroni ndihmë vullnetare

Nëse jeni afër zonës ku ka ndodhur tërmeti, mund t’i drejtoheni organizatave të ndihmës së shpejtë dhe të zbuloni nëse kanë nevojë për ndihmë vullnetare. Ndihmoni njerëzit të evakuohen nga ndërtesat që rrezikojnë të shemben dhe bashkëpunoni me autoritetet shtetërore.
Kafshët gjithashtu kanë nevojë për ndihmën tonë pas katastrofave natyrore, kështu që një ide tjetër vullnetare është të kontaktoni me strehëzat e kafshëve për të zbuluar se si mund t’i ndihmoni. 

Dergoni para

Dhurimi i veshmbathjeve dhe ushqimeve pas një fatkeqësie natyrore mund të duket një mënyrë e mirë për të ndihmuar. Megjithatë, realiteti është se dhurimet fizike për të prekurit nga tërmeti nuk janë shumë të nevojshme dhe mund të mbingarkojnë qëndrat e emergjencave civile. Ndaj, të dhuroni para është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndihmuar.
Për të ditur se ku duhet t’i dërgoni paratë, drejtohuni tek institucionet shtetërore të cilat zakonisht caktojnë një llogari bankare ku secili mund të japë kontributin e tij.

Në momente të tilla, kuptojmë se sa të fortë jemi nëse qëndrojmë të bashkuar. Kontributi që jepni mund të ndryshojë jetë njerëzish. Pavarësisht masave që mund të marrë shteti apo programet e emergjencës, ndodh që të mos jenë të mjaftueshme.
Solidariteti dhe dashamirësia ndihmojnë për të rindërtuar jetën pas një fatkeqësie të tillë natyrore.