Si të përmbushni synimet e vendosura për vitin 2020?

nga Flogerta Driza

Synimet tuaja ndoshta ngjasojnë me këto: “Do lë duhanin, do bëj më shumë ushtrime, do ha më shëndetshëm etj”. Çdo mbrëmje të Vitit të Ri, planifikoni të bëni gjëra të mëdha për vitin që sapo erdhi. Vetëm se dështoni çdo herë.

Ne do t’ju tregojmë se si të veproni që objektivat që vendosni në Vitin e Ri të përmbushen deri në fund. Nuk na mungojnë idetë e mira për vitin 2020: të dobësohemi, të pimë më pak alkool, të meditojmë më shpesh etj. Prisni një minutë! A nuk janë këto po ato objektiva që keni pasur edhe vitin e kaluar?

Hmm mendojmë se janë po të njëjta edhe me ato të një viti më parë. Nuk është për t’u çuditur! Entuziazmi me të cilin fillojmë çdo vit të ri është pak a shumë si fishekzjarret në prag të vitit: “Pas një zhurme të madhe dhe një shpërthimi të ndritshëm, gjithçka shuhet.” Kështu përsëritet çdo vit i njëjti cikël, por, nëse merrni parasysh disa gjëra, viti 2020 mund të jetë viti juaj.

Merrini gjërat me radhë

“Gabimi më i madh që mund të bëni është kur bëni shumë gjëra menjëherë,” thotë psikologu Mario Schuster. Nëse doni të ndaloni pirjen e duhanit, por gjithashtu doni të hiqni ëmbëlsirat nga dieta juaj, tejkaloni veten dhe bëni shumë gjëra menjëherë.” Cila është zgjidhja? Shumë e thjeshtë, merrini gjërat me radhë dhe përmbushni një synim pasi keni përfunduar më parë tjetrin.

Bëjeni plotësimin e objektivave tuaja argëtuese

Pasi të vendosni cili është objektivi i radhës, sfida tjetër është përmbushja e tij. “Mënyra më e mirë e përmbushjes së synimit tuaj është duke e bërë atë sa më argëtues. Keni nevojë për një qasje pozitive ndaj ndryshimit që doni të bëni.” – thotë Schuster. Se si mund ta bëni argëtuese, kjo varet vetëm nga objektivi që keni vendosur të përmbushni për këtë vit.

Jini realistë

Ata që e nisën vitin 2019 duke u rehatuar pak si shumë e duke ngrënë disa copa bakllavaje më tepër, me shumë mundësi për vitin 2020 kanë vendosur të bëjnë vrap. Kjo është një sfidë pak e vështirë për një person i cili deri para pak kohësh krevatin e kishte shok të ngushtë. Ne nuk ju themi ta nisni çdo mëngjes me vrap të vrullshëm, sepse me siguri do të dështoni, por ju këshillojmë ta nisni me ecje. Në fund të fundit, çështja është krijimi i një zakoni të ri. Me pak fjalë, jini realist mbi atë që vendosni si synim për veten tuaj. 

Jini të përgjegjshëm

Synimet janë zgjedhur dhe kanë marrë formë. “Tani është momenti t’i tregoni dikujt ecurinë tuaj.” – thotë psikologu. Kjo sepse forcon angazhimin dhe nxit përgjegjshmëri. Një premtim që bëjmë vetëm në një dhomë të vogël të qetë, prishet më shpejt sesa ai që ia bëjmë me zë të lartë miqve tanë. Edhe ata do t’ju shtyjnë ta përmbushni këtë objektiv.

Mos u dëshpëroni

2020 sapo mbërriti dhe ju do të arrini t’i përmbushni synimet tuaja. Mirëpo, vjen tundimi i parë dhe ajo cigarja ju pihet tmerrësisht. Krevati i ngrohtë ju duket më ndjellës se kurrë, kështu që dorëzoheni, shtriheni dhe tymosni. Po tani?
“Në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndëshkoni veten,” paralajmëron Schuster. Kjo do t’ju demoralizoj më tepër nëse jeni vet-ndërshkues. Pengesat do jenë të pranishme, mjafton që të ecni para përmbushjes së objektivit tuaj me vullnet. “Përqëndrohuni tek ndjenjat e suksesit – pavarësisht se sa të vogla mund të duken.” – shpjegon Schuster.

Gjithsesi, ne ju urojmë që ky vit t’ju gjej më dashamirës ndaj vetes suaj dhe mos harroni:

“Gjithçka nis me një hap, para se ta keni kuptuar do keni arritur në vijën e finishit. Forca!”

Lexoni edhe 20 citate motivuese për vitin 2020!