Si të riktheheni të motivuar në punë pas pushimeve?

nga Flogerta Driza

Kthimi në punë pas disa javëve pushim është shumë e vështirë. Për dy javë rresht keni fikur alarmin e orës 6:30 dhe keni fjetur sa keni dashur. Keni dalë dhe jeni dembelosur në maksimum duke parë serialet tuaja të preferuara në Netflix.
Megjithatë, pushimet mbaruan dhe duhet t’i riktheheni punës me motivim. Kjo nuk është aq e lehtë sa duket, kështu që do t’ju japim disa këshilla se si të riktheheni të motivuar në punë pas pushimeve: 

Filloni me detyra të vogla 

Nëse jeni si ne, ka të ngjarë t’ju kapë paniku që ditën e parë të punës pasi ktheheni nga pushimet. Edhe pse duket ngazëlluese të zhyteni drejt projekteve masive, ashtu si një makinë në një ditë të ftohtë dimri, duhet t’i jepni trurit tuaj një shans për tu ngrohur para se të shkelni gazin.


Truri ynë reagon pozitivisht kur sheh përparim në detyra të ndryshme pa marrë parasysh madhësinë. Psikologët e quajnë këtë njëanshmëri, pasi truri juaj merr një goditje të hormonit dopaminë sa herë që përfundoni detyra të caktuara.
Ndaj ne ju këshillojmë ta nisni me detyra të vogla që të ndjeheni të motivuar sa herë përfundoni diçka. Produktiviteti dhe motivimi janë pak a shumë si fizika. Dhe, siç thotë autori më i shitur, James Clear, nuk duhet të harroni ligjin e parë të Njutonit:

“Objektet në lëvizje kanë tendencë të qëndrojnë në lëvizje. Gjeni një mënyrë për të filluar punën në më pak se dy minuta.”

Përgjigjuni mesazheve me radhë.

Një nga aspektet më stresuese për t’iu rikthyer punës është përballja me emailet dhe mesazhet e shumta që janë grumbulluar. Pavarësisht nëse e keni hequr emailin ose Slack-un nga telefoni juaj gjatë kohës që keni qenë larg, gjëja e fundit që dëshironi të bëni është të kaloni ditët e punës duke i cuar në zero mesazhet e palexuara.
Ekspertja e menaxhimit të kohës, Laura Vanderkamp, ​​sugjeron të mbani mesazhet personale aktive, ndërsa ato të zyrës t’i fikni.

“Mos i fikni të dyja kanalet e komunikimit sepse fluksi i mesazheve do jetë i papërballueshëm.”

Largoni shpërqendrimet në orët e para të punës 

Nuk jeni i vetmi që ndjeni nevojën të zhyteni në punë menjëherë pas pushimeve. Dhe për fat të keq, kjo do të thotë shumë kërkesa për takime, përditësime dhe mbingarkesë ne emaile. Ndërsa këto gjëra janë të pashmangshme, asgjë nuk e vret motivimin tuaj më tepër sesa humbja e kohës me kaq shumë detyra. 
Një teknikë që mund të përdorni është bllokimi i orëve të para të mëngjesit vetëm për të rivlerësuar përparësitë tuaja. Me pak fjalë krijoni një plan me gjithë detyrat urgjente dhe pastaj ndajeni secilën detyrë në pjesë të vogla që të mund t’i menaxhoni më lehtë.
Fikni telefonat dhe muzikën për disa orë dhe përqëndrohuni tek detyrat tuaja.

Krijoni vrull pune duke krijuar një listë përparësish

Edhe nëse i jepni vetes një orë ose dy për të riorientuar veten në hapësirën e punës, është e normale të ndjeheni ende të tronditur nga gjithçka që duhet bërë.
Do të keni shumë gjëra për të përmbushur. Sidoqoftë, shumica e ekspertëve të produktivitetit sugjerojnë të merrni disa momente për renditur përparësinë tuaj në listën e detyrave të punës.

Këtu keni një nga mënyrat më të lehta për ta bërë këtë:

Filloni duke krijuar një listë master për gjithçka që duhet të bëhet.
Kjo do të thotë detyra, emaile, takime, mbledhje, raporte, takime 1 në 1 e kështu me radhë.. Me pak fjalë shënoni gjithçka. Hedhja e mendimeve të tuaja do t’ju duket si një zbrazje e gjithë ngarkesës.
Zgjidhni një gjë që mund të përfundoni shpejt. Siç thamë edhe më parë, një punë e vogël e kryer shpejt, krijon vetëbesim dhe motivim.
Së fundmi, bëni një plan për pjesën tjetër të ditës. Krijoni një listë të shkurtër me 3-4 detyrat kryesore për të bërë sot. Nëse ndiheni të kënaqur me këtë, shkruani një plan edhe për nesër.

Merreni lehtë ri-angazhimin me kolegët tuaj.

Shumë biseda (d.m.th. “Si e kaluat festën?”) mund të prishin produktivitetin. Megjithatë, është e rëndësishme të caktoni ca kohë ballë për ballë me ekipin tuaj kur të ktheheni. Nëse jeni menaxher, ekipit tuaj do t’i duhet kontributi juaj për punën që duhet të bëhet. Kjo do t’i motivojë edhe më shumë, sidomos kur të shohin vëmendjen tuaj. Bisedat 1 me 1 janë produktive nëse merrni kohë disa minuta për t’u rilidhur me të gjithë kolegët tuaj pas pushimeve.

Jepini vetes pak pushim (nëse ju nevojitet)

Së fundmi, mbani mend se “Është normale të ndjeheni pak të demoralizuar ditën tuaj të parë në punë pas pushimeve.” Të jesh produktiv në punë është një maratonë, jo thjesht një sprint. Megjithatë, fillimi i mbarë është gjysma e punës thotë populli. Këtë e themi edhe ne, pavarësisht se sa ngadalë e nisni punën.
Nëse dita e parë është e ngarkuar, dhe pavarësisht planifikimit tuaj ju duket sikur ende nuk i keni përtypur të gjitha, merreni shtruar. Mos harroni është edhe dita e neserme dhe shumë ditë të tjera pas saj. Edhe një pushim i shkurtër prej 5-10 minutash suke shëtitur nëpër zyrë mund të jetë i mjaftueshëm për të rritur motivimin tuaj ose nxitjen e ideve të reja. Mos jini të ashpër me veten.
Dr Richard Davidson, themeluesi dhe drejtori i Center for Healthy Minds në Universitetin e Wisconsin-Madison iu shpreh New York Times:

“Auto-kritika mund të ndikojë negativisht në mendjet dhe trupat tanë. Mund të çojë në mendime ripërsëritëse që ndërhyjnë në produktivitetin tonë, dhe kjo ndikon drejtëpërdrejt edhe në trup. Kjo më pas stimulon mekanizma inflamator të cilat çojnë në sëmundje kronike dhe përshpejtojnë plakjen.”

Nuk ka asgjë të keqe nëse doni të pushoni, të relaksoheni dhe të eliminoni ankthin e rikthimit në punë. Përkundrazi, këto këshilla duhet t’ju ndihmojnë të ecni përpara. Ndaj, ne ju urojmë përzemërsisht një vit produktiv në punën tuaj. Suksese! 🙂