Tiranë: 10 ditë në vetizolim, durimi i qytetarëve po soset

nga Flogerta Driza

Në Tiranë tashmë janë bërë 10 ditë në vetizolim. Një gjëndje e vazhdueshme parehatie po vërehet nga të gjithë. 10 ditë vetizolim nuk janë pak dhe duket se ky padurim i qytetarëve me dyndjen e tyre rrugëve.

Ndërkohë, masat vazhdojnë të shtrëngohen nga qeveria, për njerëzit po bëhet gjithnjë e më të vështirë për t’u kontrolluar. Rastet e të infektuarëve me koronavirusit po shtohen, madje deri më tani kemi dy viktima. 

Rebelimi i qytetarëve

gjyshi me mbesen

Një pjesë njerëzish të papërgjegjshëm dalin sikur asgjë s’po ndodh. Kjo habit pjesën e atyre që janë mjaftueshëm të ndërgjegjësuar për të qëndruar brenda.

Ndër ta jam edhe unë, ashtu si dhe shumë të rinj të cilët pavarësisht dëshirës, qëndrojnë brenda për hir të gjyshërve dhe familjarëve tanë.  Nisur nga kjo shumica e ndërgjegjshme, del vetëm kur ka për të bërë pazaret e nevojshme.

Rregullat e heshtura dhe të shkruara

Në supermarkete, dyqane peshku, furra buke, farmaci ka rregulla strikte që shitësit zbatojnë me urdhër qeveritar. Këto rregulla duhet t’i respektojnë edhe qytetarët. Ja disa prej këtyre rregullave:

  • Nuk lejohen më tepër se 5 veta brenda një supermarketi, numri i personave ndryshon në 2 brenda një dyqani apo farmacie me sipërfaqie të vogël.
  • Duhet të ruajnë distancën prej 1 metër si me individët brenda në supermarket, ashtu edhe me shitësen kur pret faturën. Radha nuk është e gjatë, ata që ende nuk kanë mbaruar punë, mbajnë rradhë jashtë ambienteve.
  • Masktat apo dorashkat përdoren shumë pak, vetëm nëse është e nevojshme.
  • Ata persona që janë të detyruar të dalin për të punuar me automjete personale, duhet të marrin një leje të posatshme nga komisariati vendor.

Këto dhe shumë rregulla të tjera na kanë vënë me shpatulla pas murit. E ndërkohë që përpiqemi të përshtatemi, lexojmë ç’të mundim, kalojmë kohë me filma apo gatuajmë diçka që na pëlqen. Mirëpo, vjen një moment që në vetizolim edhe këto të mërziten. 

njerez ne kafene

Një pjesë e mirë nuk e ka marrë ende seriozisht këtë situate. Në Shqipëri masat u morën menjëherë pas rastit të parë të infektuar me koronavirus, por njerëzit po reagojnë shumë ngadal.

Gjëndja e pasigurisë na ka përfshirë të gjithëve. Shumë prej nesh që janë edhe familjarë, nuk dinë si të sillën me fëmijët e tyre, nuk dinë kur do kthehen në punë. Shumë kanë kredi, fatura për të paguar, varësi ndaj rrogës që marrin. Vetëizolimi nuk po i bën mirë askujt. 

Gjithandej ka kapluar një qetësi e çuditshme, saqë edhe ata pak njerëz që dalin duket sikur nuk duan të flasin. Vetëm ecin nxitimthi. Tashmë panikut ia ka zënë vendin padurimi i përgjithshëm.

Pas qetësisë vjen stuhia apo…

Tirana dhe thuajse çdo qytet madhor ka vatër të prekurish me koronavirus. Ne na ngelet veç të presim që kjo valë të kalojë. Të presim t’i rikthehemi normalitetit, punëve tona dhe aktiviteteve, por deri atë ditë duhet vetëm durim.

Durim që shëndoshë e mirë të shijojmë të gjithë bashkë diellin dhe të përqafohemi apo takohemi pa frikë me njëri-tjetrin. Durim!