Tri gjëra që nuk i keni ditur për Nexhmije Pagarushën 

nga Argjenda Selmani

Kosova e përcolli me nderimet më të mëdha të dielën Nexhmije Pagarushën, artistën që vdiq më 7 shkurt 2020. Personaliteti i saj ishte shumë i veçantë. 
Kontributi i saj në kulturë ishte gjithashtu tejet i madh. Për këtë arsye, për të flitet e shkruhet shumë këto ditë. Megjithatë ne ju sjellim tri fakte shumë interesante për bilbilin e këngës shqipe të cilat nuk i keni ditur!

Baresha u kompozua ekskluzivisht për vlerat e vokalit të saj

Kënga Baresha është një ndër kryeveprat e interpretimit të Nexhmije Pagarushës. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Ndër vite Baresha ka identifukuar këngëtarën Pagarusha. Ky ishte edhe qëllimi i autorëve. Personat e afërt me familjen Mulliqi-Pagarusha thonë se Rexho e bëri këtë kompozim ekskluzivisht për t’i nxjerr në pahë vlerat artistike të vokalit të saj. Kënga Baresha ka një videoklip zyrtar. Ky videoklip u realizua në vitin 2012 me iniciativën e Muzeut të Kosovës.

E zonja edhe në aktrim

Vokali padyshim që ishte vlera më e madhe artistike e saj. Mirëpo Nexhmije Pagarusha ishte e zonja edhe në aktrim. Ajo pati disa role në filma dhe shfaqje teatrale. Dasma e përgjakur, Jugovizioni, E kafshoja terrin, Lepuri me pesë këmbë, Vrasësit bëjnë dasmë natën, Daullet e të çmendurve, janë disa prej projekteve filmike në të cilat është paraqitur artistja.
Artdashësit e brezit të saj impresjonoheshin edhe nga paraqitjet e saj si aktore para publikut.  Suksesin në aktrim padyshim që ja garantoi karriera e bujshme muzikore.

Kosova do ta ketë së shpejti një shtëpi kulture me emrin ‘Nexhmije Pagarusha’

Në Pagarushë të Malishevës, vendit prej nga e ka perjardhjen artistja Nexhmije Pagarusha pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore. Kjo qendër do ta ketë edhe emrin e saj. Qendra ka për qëllim të nderojë dhe të lartësojë figurën e veprimtarinë e ikonës së muzikës shqiptare. Ky projekt është i iniciuar nga organizata “Troja” dhe ka marrë përkrahjen e Komunës së Malishevës si dhe Ministrisë së Kulturës, e Rinisë dhe  Sportit.  E gjithë kjo punë pritet të finalizohet vitin që po vjen.

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓