Tri libra të letërsisë shqipe që duhet t’i lexoni gjatë këtij izolimi

nga Argjenda Selmani

Qe sa kohë s’keni lexuar një libër të letërsisë shqipe? Këto ditë të vetizolimit ju ftojmë të ktheni pak kokën edhe nga letërsia jonë! Krahas Netflix-it e librave që i gjeni edhe online, lexoni edhe librat e rafteve në shtëpi.

Në kompletet e librave të letërsisë shqipe, botuar nga Rilindja por edhe në botimet më të vonshme gjeni shumë libra që ja vlejnë të lexohen.  Ne po rekomandojmë tri prej tyre.

‘Dr. Gjilpëra’ – Faik Konica

readingVepra më e rëndësishme letrare e Konicës është padyshim proza e gjatë satirike ‘Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit’.  Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra. Një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi.  Kthimi në Shqipëri e vë Dr. Gjilpërën përballë një realiteti tronditës. Para tij shtrohen probleme që përfshijnë pamje të ndryshme të jetës shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër, ai njihet me gjendjen e mjeruar të popullit e me padrejtësitë. Me aparatin shtetëror, ku mbizotërojnë arbitrariteti, drama dhe intrigat.

‘Hija e Maleve’ –  Ernest Koliqi

books“Hija e Maleve” është një përmbledhje me dymbëdhjetë novela me autor Ernest Koliqin.
U botua më 1929 në Zarë.
Libri ‘Hija e maleve’ nis me novelën “Nusja e mrekullueshme”. Kjo novelë vë në pah mentalitetin tipik shqiptar si dhe besëtytnitë mitike. Në “Hija e maleve”, Koliqi ia doli që t’i shtjellojë ato me mjeshtëri dhe të arrijë një nivel të ngritur të komunikimit artistik.  Novelat e tij janë dëshmi e jetës së përditshme të shqiptarëve. Ç’është e vërteta, këto krijime përbëjnë shembuj konkretë e të rëndësishëm të prozës moderne shqipe.

‘Një emër në katër rrugë’ – Petro Marko

Romani i Petro Markos me titull ‘Një emër në katër rrugë’ në faqen e fundit mban datën e vitit 1972.
Ai mbeti dorëshkrim dhe  nuk u lejua botimi i tij deri pas 29 vjetësh, më 2001.
Në të autori rrëfen botën shqiptare të viteve ’30 dhe pjesën e parë të ’40-ve përmes katër perspektivave të mundshme. Katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve. Që të katërt kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit Jon. Katër Gjikët mëtojnë ta përthithin tërë realitetin shqiptar të kohës si dhe të nesërmen shqiptare.  Secili më unikë se tjetri!

Në këtë roman ka një galeri të tërë personazhesh të  me identitet historik, dhe të sajuar, duke filluar që nga mbreti Zog, kryeministra, parlamentarë dhe intelektualë të shquar të kohës, revolucionarë komunistë etj.