Tri veçori të kullave tona

nga Argjenda Selmani

Pothuajse çdo vendbanim shqiptar i ruan ende kullat apo gjurmët e kullave që dikur përdoreshin për banim. Mirëpo sa dini ju për këto ndërtesa të gurta? 

E dini se jetesa në to kishte krejt rregulla të tjera prej atyre që ne kemi sot? Cila ishte pjesa kryesore e kullës? Për çka përdorej kati i parë?  Më poshtë po përmendim vetëm disa nga veçoritë e tyre!

Përveç karakterit banues kishin edhe karakter mbrojtës

Frëngjít e Kullës së Nitajve

Kullat janë ndërtime karakteristike të arkitekturës popullore që përdorshin nga gjitha shtresat e shoqërisë. Këto tipe të shtëpive të stilit të fortifikuar, kanë pasur rol të shumëfishtë. Mirëpo roli mbrojtës i kullave ishte kryesori, kuptohet në kohët e mëhershme. Ky karakter mbrojtës përveç atij banues, kuptohet nga vet forma e ndërtimit që është e mbyllur. Kuptohet prej materialit masiv prej guri, me frëngjitë e shumta përgjatë murit të kullës. Prej këtyre frengjive malësorët vëzhgonin afrimin e armikut dhe prej aty sulmonin me armë.

Kati i parë për bagëti, kati i dytë për banim

Kulla

Kulla e Govajkës

Kati i parë i kullës shfrytëzohej për të strehuar bagëtinë, ndërsa katet e sipërme shfrytëzohen për banim.  Në kate ngjitesh me shkallë druri, të cilat në disa raste përbëhen prej një trungu të vetëm në formë shkalle. Dhomat e banimit janë të mobiluara me orendi të punuara me dru dhe të gdhendura me motive floreale ose gjeometrike. Në krye të dhomës vendoset oxhaku karakteristik me përmasa të mëdha. Në përgjithësi, këto ambiente janë të errëta dhe ndriçohen vetëm nëpërmjet dritareve të vogla dhe frëngjive të mbrojtjes, të cilat lihen në të katër anët. 

Oda ishte një nga pjesët më të rëndësishme të kullës

oda

Oda e burrave

Odat luanin rolin e një institucioni juridik, shoqërorë e politik. Aty u mbajtën tubime të ndryshme me rëndësi për tërë shqiptarinë.
Në oda kultivohej mençuria dhe  filozofia e thellë e popullit, si dhe atdhedashuria, ato ishin sinonim i lirisë. Në odën e burrave pas darke ishte traditë të luhej “loja me kapuça”. Aty kishtë përherë edhe instumente folklorike si çiftelia dhe lahuta. Gratë nuk hynin asnjëherë në odën e burrave. Edhe kafenë e sillnin deri te dera dhe më pas e merrte një burrë tabakanë dhe i shërbente kafenë mikut.