Çfarë të bëni në një udhëtim tre ditor në Mal të Zi?

nga Flogerta Driza

Një udhëtim në Mal të Zi do jetë një surprizë e vërtetë. Deti me njëmijë nuanca blu, vendi i qyteteve të lashta të stilit venecian, atmosferë elegante, male me sharm alpin dhe një fjord që të kujton fjordet e Norvegjisë.

Këtu keni disa ide se çfarë të shihni përgjatë bregdetit në tre ditë.

Disa informacione të thjeshta:

  • Nëse udhëtoni me makinë, kushtojini vëmendje rrugëve: ka shumë kthesa dhe pamjet marramendëse mund t’ju shpërqëndrojnë.
  • Mali i Zi, si shtet relativish i vogël, është ideal për pushime afatshkurtra. Kështu që, nëse planifikoni të kaloni një fundjavë ndryshe, konsideroni të vizitoni këtë vend.

Bregdeti malazez është  shumë i bukur dhe me plot destinacione tërheqëse. Do të përqendrohem, sidoqoftë, vetëm në Kotorr e gjirin e tij, Budvën dhe Ulqinin.

Kotorri dhe gjiri i tij

Kotor

Foto: @jessica_ongko via Twenty20

Kotorri është destinacioni më i famshëm i Malit të Zi. Një qytet i bukur me mure i vendosur në fillim të gjirit më tërheqës të Ballkanit, Gjiri i Kotorrit. Nuk ndodhet shumë larg Dubrovnikut të famshëm dhe turistik. Mund të flas shumë për Kotorrin, por ju ftoj ta vizitoni e ta shikoni vet me sytë tuaj se sa magjepsës është.

Vizitoni qëndrën historike

Kotorri është një vend i bukur i ndërtuar me gurë. Shëtisni nëpër rrugët e qytetit karakteristik të vjetër që duket si një labirint i vogël. Katedralja e San Trifones, Kulla e Sahatit dhe Pallati Ducal janë sheshet më të bukura për t’u parë. Nëse ju pëlqen të ecni, vizitoni fortesën e Shën Svanit (1350 hapa) për të admiruar një pamje të qytetit që të lë pa frymë.

Këshillë: Vizitojeni këtë vend të bukur sa më shpejt, përpara se të bëhet një destinacion i mbipopulluar.

Budva dhe rrethinat

Budva e Malit te Zi

Foto: @tanianueva via Twenty20

E quajnë ndryshe “Miami i Malit të Zi” për shkak të jetës së natës. Megjithatë, Budva nuk është vetëm muzikë dhe klube nate, qyteti ka një qendër të bukur që meriton të vizitohet. Ky qytet me mur mesjetar është thjesht i mrekullueshëm. Pjesa e vjetër e Budvas, Stari Gradi, qëndron në një ishull i lidhur me tokën nga një rrip rëre.

Qendra historike është një labirint me rrugë të ngushta që mund t’i bëni në këmbë, duke zbuluar sheshe të fshehura, kopshte dhe kisha të vogla. Budva është e famshme për shtëpitë dhe plazhet e bukura që e rrethojnë. Jashtë mureve ndodhet Plazhi i Budvas, i mahnitshë por shpesh i mbipopulluar. Rreth dy kilometra larg qendrës historike, në vend të plazhit të Budvas, keni plazhin e Jaz-it. Epiqëndra e Sea Dance Festival, një ngjarje muzikore që çdo verë gjallëron me muzikë netët e Budvas .

Jo shumë larg Budvas ndodhet Sveti Stefan, një ishull i famshëm i kthyer në një vendpushim luksoz gjatë kohës së Marshall Titos. Mysafirët që e frekuentojnë shpesh këtë vendpushim luksoz, janë përgjithësisht të famshëm nga e gjithë bota, si Sophia Loren, Marilyn Monroe dikur, Monica Belluci etj. 

Ulqini

Bregdeti i Ulqinjit

Foto: @maksanta via Twenty20

Ulqini është qyteti i fundit përgjatë bregdetit të Malit të Zi para se të hyni në territorin shqiptar. Ulqini është një nga destinacionet më pak turistikë në Mal të Zi, kështu që çmimet janë më të ulëta se në qytetet e tjera. Nëse jeni duke kërkuar një destinacion pa shumë turistë, ku të pushoni, atëhere Ulqini është vendi për ju.

Kuriozitet: 70% e popullsisë që jeton këtu, sipas hulumtimeve të fundit të censusit është me përkatësi etnike shqiptare. 

Qendra historike është e bërë nga rrugë prej guri, të rrethuara me ndërtesa të këndshme. Gjëja që do t’ju habisë më shumë në Ulqin, janë pamjet e papritura të detit Adriatik që duken nga rrugëkalimet e vogla. Pak para se të arrini qëndrën, mund të shikoni Mala Plazan (plazhi i vogël), të pushtuar nga banorë gjatë sezonit të verës. Në plazh ndodhet Xhamia e Peshkatarëve, një nga ndërtesat fetare më të bukura dhe të lashta të Ulqinit.

Duke qënë se e mbylla me Ulqinin, mendoj se ia vlen ta vizitoni këtë vend vetëm për qëtësinë që të fal.