‘Bëra më të mirën time për ta rikthyer pasionin tim në Kumanovë’

nga Stefan van Dijk

Vesa Sherifi është një shqiptare nga Maqedonia e Veriut, me rrënjë gjithashtu në Kosovë. Vendlindja e saj, Kumanova, u bë lajm botëror për shkak të ngjarjeve tragjike në mes të një krize politike, pesë vjet më parë. Ne flasim me të për anën më të ndritshme të Kumanovës, por edhe të Kosovës, si dhe për kohën kur qëndroi në Shtetet e Bashkuara. E pyesim si për shembull, si prezantohet ajo kur është jashtë vendit?

“Gjithmonë them se jam nga Maqedonisa, por jam shqiptare, e ashtu është edhe familja ime. Zakonisht keqkuptimi që pason është se njerëzit mendojnë se ndoshta unë jam një emigrante nga Shqipëria që jeton në Maqedoni. Shumë herë me pasion shpjegoj se si shqiptarët në Ballkan janë vendas në tokat e tyre, edhe nëse kufijtë e vendeve të Ballkanit kanë ndryshuar shumë herë me dekada dhe shekuj.”

Keni lindur në fillim të këtij mijëvjeçari, në mes të luftës në Kosovë dhe luftës në Maqedoni. Jeni e lidhur me të dyja vendet, si ka ndodhur?

“Në fund të viteve 1980, shkollat ​​shqipe në Maqedoni u mbyllën dhe u ndaluan, midis të gjitha diskriminimeve të tjera me të cilat përballeshin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Kjo është arsyeja pse babai im, që në moshë të re, filloi të jetonte i vetëm në Drenas (Kosovë), ku  mbaroi shkollën e mesme. Më vonë ai vazhdoi studimet e tij bachelor në Universitetin e Prishtinës në vitet 1990.

‘Unë u rrita duke dëgjuar historitë e prindërve të mi’

Nëna ime, nga ana tjetër, është nga Vitia, një qytet i vogël në Kosovë. Prindërit e mi u takuan ndërsa studionin në kushte shumë të pazakonta, me orë policore. Ndërsa organizonin dhe merrnin pjesë në protesta kundër regjimit të Millosheviçit dhe ndërsa shpresonin për çlirimin e Kosovës. Kur filloi lufta në Kumanovë në fillim të vitit 2001, unë u transferova në Kosovë me nënën time dhe jetova atje derisa të mbaronte lufta. Unë u rrita duke dëgjuar historitë e prindërve të mi, duke pasur familje përtej kufirit në Kosovë dhe duke kaluar çdo pushim veror në Shqipëri.”

vesa sherifi
Vesa Sherifi

Të rritesh si shqiptar në Maqedoninë e Veriut natyrisht që është ndryshe nga rritja në Kosovë ose Shqipëri. Por kjo ndoshta varet edhe nga vendi ku jetoni, apo jo?

“Jam rritur në një lagje shqiptare në Kumanovë. Kam shkuar në një shkollë shqipe dhe kam jetuar në një komunitet me bazë shqiptare. Qasja ime e parë ndaj gjuhës dhe miqve maqedonas ishte kur shkova me shkollën fillore të muzikës në Kumanovë, e cila në atë kohë kishte vetëm mësim në maqedonisht. Klasat e mia për piano ishin të vështira për shkak të pengesave gjuhësore në fillim, por ajo filloi të bëhej gjithnjë e më e lehtë kur unë isha duke u rritur çdo ditë. Po mësoja gjithnjë e më shumë për komunitetin ku jetoja.

Vesa: ‘Bashkëjetesa midis grupeve të ndryshme etnike në Maqedoni është përmirësuar me shpejtësi’

Tani, unë jam një studente e mjekësisë në Universitetin Saint Cyril and Methodius në Shkup, ku studimet e mia janë në maqedonisht dhe grupi i miqve të mi është më i përzier se kurrë. Bashkëjetesa midis grupeve të ndryshme etnike në Maqedoni është përmirësuar me shpejtësi edhe nëse kemi akoma shumë më shumë punë për të bërë.”

Hera e parë që kam dëgjuar për qytetin tuaj ishte gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 2015. Jam i sigurt se ka më shumë për të treguar për të, apo jo?

“Të lë shiije të hidhur dhe të ëmbël fakti që Kumanova është e njohur si vendi që filloi luftën në Maqedoni në 2001. Mirëpo edhe si vendi ku ndodhi marrëveshja midis NATO-s dhe Serbisë, që përfundoi luftën në Kosovë. Si vendi që organizoi dhjetëra protesta kundër diskriminimit në vitet 80 dhe 90, për ngjarjen e fatkeqësisë në 2015 dhe për heronjtë si Ismet Jashari, Beqir Sadiku dhe të tjerët.

Megjithëse përveç së kaluarës heroike, Kumanova është një nga të paktat qytete të populluara me shqiptarë që kishte rok-grupe të famshme shqiptare në të gjithë Jugosllavinë gjatë fillimit të viteve 1960, 1970 dhe 1980.

‘Ka aq shumë vende për tu vizituar në Kumanovë’

Ka aq shumë vende për tu vizituar në Kumanovë, të tilla si Observatori antik Kokino dhe liqeni artificial i Lipkovës. Pastaj parqe të mrekullueshëm, muze, galeri, dhe nëse nuk jeni aq shumë për këto gjëra, sikurse shumica e qyteteve të tjera në Ballkan, edhe Kumanova ka shumë kafene që janë super mikpritëse dhe shërbejnë disa makiato të mira.”

Vesa, në të majt, duke qëndruar afër studentëve nga Bosnja, Gjermania, Turkia, Pakistani dhe Palestina.

Kjo foto e jotja ngre shumë kuriozitet. Çfarë po ndodh këtu?

Në vitin 2017 isha një nga dhjetë studentë të shkollës së mesme që fitova një bursë për YES (Shkëmbim dhe Studim i Rinisë) në Maqedoni. Ky është një program i financuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA që përmes një procesi testimi, zgjedh një numër specifik të studentëve nga shumë vende të botës.

Unë u vendosa në Kansas City në Misuri në një familje shumë të ngrohtë që më priti në mënyrën më të mirë të mundshme. Për nëntë muaj në SH.B.A. shfrytëzova çdo mundësi për të folur nga kam ardhur, për të dalë vullnetare, për të takuar njerëz të rinj dhe një nga këto momente është në këtë fotografi.

Vesa: ‘Fillova të ndjehem e apasionuar pas temave të ndryshme’

Në Mars 2018 pata nderin të punoj si asistente për Senatin e Shtetit Kansas, në Topeka. Kam punuar me senatoren Julia Lynn dhe njerëzit në zyrën e saj për një ditë. Në këtë fotografi ju më shihni mua dhe disa studentë të tjerë ndërsa po bëjmë betimin për të punuar për të mirën e Senatit dhe Kushtetutës së Kansasit.”

Çfarë përfituat nga qëndrimi në SHBA?

“Ndërsa isha në SH.B.A. unë e pashë Maqedoninë dhe komunitetin tonë nga një këndvështrim tjetër. Fillova të vë në dyshim gjëra dhe çështje që nuk e kisha bërë më parë. Fillova të ndjehem e apasionuar pas temave të ndryshme. Unë u përpoqa dhe bëra më të mirën time për ta kthyer pasionin në shtëpi dhe për të punuar rreth atyre temave me njerëzit e mi.

E ktheva në vendlindje dikë që ndjehej sikur ishte pjesë e komunitetit të saj më shumë se kurrë. Dikë që beson në aktivizëm dhe idenë e të shprehurit të mendimit si dhe ndryshimit të gjërave. Unë u ktheva në shtëpi e arsimuar për kulturën e vullnetarizmit dhe shërbimin ndaj komunitetit. U kytheva e vetëdijshme se sa e rëndësishme është të rritet ndërgjegjësimi i përbashkët me njerëzit me të cilët jeton.”