Xhubleta – kjo veshje unike e grave shqiptare

nga Argjenda Selmani

Në kohët e shkuara nëse një vizitor i huaj ka ecur rreth lumit Drin, në Malësi të Madhe apo në Rugovë, patjetër se ka parë gra shqiptare me xhubleta. 

Ky fund i grave, që ishte pjesë e shumë kostumeve tradiconale është një vjeshje e rrallë që vështirë haset te ndonjë popull tjetër. Madje edhe punimi i saj është tejet i veçantë. Këto veçori e kanë bërë që studiuesit e vizitorët të interesohen për të. 

Mirëpo cfarë është xhubleta?

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë. Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra. Mirëpo ato që na kanë mbërritur në xhubletaditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Nga gratë ilire te ato shqiptare

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje. Mirëpo edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjecarit te dytë para erës sonë. Ato lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malsorët e përcollen deri në vitet 1950-1960. Pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti e dashurinë. Ajo thekson bukurinë e femrës malësore. 

Kliko këtu për ta shkarkuar aplikacionin tani ↓